Ish-trajneri i Ballkanit, Zymer Elshani e ka komentuar vendimin e klubit suharekas për ta shkarkuar Ismet Munishin nga posti i shefit të shtabit teknik.
Gjatë ditës së enjte, klubi i Ballkanit zyrtarizoi shkëputjen e marrëveshjes me Munishin, ndonëse presidenti Arsim Kabashi ditë më parë kishte dhënë besimin për të vazhduar me të edhe më tutje.
Me Munishin, skuadra e Ballkanit e mbylli në vendin e dytë stinorin vjeshtor në Superligë dhe është në garë për ta fituar Kupën e Kosovës.
Elshani, dikur trajner i Ballkanit, në një intervistë për “Zeri.info” e ka cilësuar të ngutshëm vendimin e klubit për ta shkarkuar Munishin.
“Është vendim i ngutshëm i kryetarit, pasi para disa ditësh tha se Ismeti do të vazhdojë, gjërat kanë ndryshuar për 48 orë. Tash ata e dinë punën e tyre”, deklaroi fillimisht Zymer Elshani, duke vazhduar:
“Ndoshta kanë ndikuar postimet e Ismetit në rrjetet sociale. Kështu mendoj unë”.
Sipas Elshanit, sot “biznesmenët po e komandojnë futbollin”.
“Sukseset kanë qenë evidente, sipas meje është vendim i ngutshëm, por biznesmenët sot janë bërë vendimarrësa dhe po komandojnë futbollin”, tregoi ai.
Elshani tutje tregon se e njejta i ndodhi edhe atij sa ishte pjesë e Ballkanit, klub me të cilin tani po përballet në gjykatë për prishjen e njëanshme të kontratës.
“Për një fjalë goje prishen, të njejtën gjë ma bën edhe mua. E kam kontratën në gjykatë, nuk më kanë paguar pagën, seancën e parë e kam fituar dhe tash do ta shohim në seancën e radhës”, nënvizoi Elshani.
“Njejtë u shkarkova edhe unë, e njejta i ndodhi edhe Sami Sërmaxhajt, Gani Sejdiut dhe Bekim Shotanit”, përfunduar Zymer Elshani.