×
  • Sport
  • Sport

    Italia siguron fazën tjetër të Euro2020, e mund keq Zvicrën – Shaqiri e Xhaka s’u vërejtën në fushë

    Reporteri
    16 Qershor 2021 | 22:52

    Ndeshja Itali-Zvicër ka përfunduar me një rezultat fantastik 3-0 për këta të parët.


    Me këtë rezultat pozitiv të sotëm, Italia ka siguruar kalimin e grupeve në këtë Evropian.

    Golat për Italinë në këtë ndeshje i shënuan Immobile dhe Lucatelli, ku ky i fundit i shënoi 2 golat e parë, shkruan Reporteri.net.

    Por, ajo që vlen të theksohet është se dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka nuk u vërejtën fare në fushë, duke lënë shumë për të dëshiruar.

    Shaqiri u zëvendësua 14 minuta para fundit, ndërkohë Xhaka ishte i plotë.

    Italia është në vendin e parë me plotë 6 pikë në Grupin A të Euro2020, ndërkohë në vendin e dytë është Uellsi që ka 4 pikë.

    Zvicra është e treta në grup me vetëm një pikë, ndërsa Turqia tashmë është përshëndetur nga Evropiani.

    Si rrodhi e tërë ndeshja?

    Skuadra e Roberto Mancinit shënoi në minutën e 20 në zhvillimet e një goditje këndi me Giorgio Chiellinin, por një prekje me dorë u pikas nga VAR dhe gjyqtari vendosi anulimin e golit. Katër minuta më pas kapitenit iu desh të linte fushën e lojës për shkak dëmtimi dhe u zëvendësua nga Acerbi.

    Por goli nuk do vononte shumë sepse Manuel Locatelli do e gjente në minutën e 26 pas një pasimi të shokut të tij te Sassuolo, Domenico Berardi. Pak minuta më pas Italia kishte mundësi të madhe për të shënuar të dytin me Spinazzola, por mbrojtësi i Romës gaboi dhe e nxori topin jashtë.

    Pjesa e parë u mbyll me shifrat minimale dhe më nisjen e së dytës, Locatelli gjeti rrjetën e dytë, këtë herë me një goditje të pakapshme nga jashtë zone. Zvicra u mundua të rrezikojë pak minuta më pas dhe kishte rast të artë, por Donnarumma u thirr në detyrë dhe nuk zhgënjeu, duke bërë dy super pritje njëra pas tjetrës.

    Më pas mundësitë për të shënuar më shumë ishin për Immobile, i cili në pak minuta humbi dy raste të pastra, që do e kishin mbyllur ndeshjen me kohë. Atë që nuk e bëri nga pranë portës, Immobile e bëri nga distanca në minutën e 89, duke shënuar një super gol dhe fiksuar shifrat në 3-0.

    Me këtë fitore Italia prenoton matematikisht kualifikimin në fazën e 1/8-ave. Nga ana tjetër Zvicra do duhet të diskutojë vendin e tretë me Turqinë në ndeshjen e fundit. Për momentin Xhaka me shokë numërojnë 1 pikë dhe ndaj ballkanasve u duhet me patjetër triumfi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!