Pak ditë pasi Andy Ruiz Jr e tronditi botën e boksit duke e rrahur Anthony Joshuan në meçin për tre titujt e botës në kategorinë e rëndë, IBF, WBO dhe WBA, nisën teoritë konspirative. Megjithatë, britaniku ka mohuar të ketë pasur sulm paniku.
Boksieri amerikan i lindur në Meksikë, Andy Ruiz e shkaktoi njërën prej tronditjeve më të mëdha në histori të kategorisë së rëndë të boksit kur ia mori Joshuas titujt IBF, WBO dhe WBA në meçin e së shtunës në Nju Jork.
Ruiz u bë meksikani i parë kampion i botës pasi e rrahu Joshuan duke e rrëzuar katër herë para se gjyqtari ta ndërpriste meçin në rundin e shtatë.
“Ka shumë akuza dhe shqetësime për atë që shkoi gabimisht me mua, por unë jam një ushtar dhe do t’i pranoj ulje ngritjet e mia. Nuk pata sulm të panikut. Nuk jam person i tillë”, ka thënë Joshua.
“Duhet ta pranoj humbjen si burrë, nuk do ta fajësojë askënd apo të bëjë ndonjë gjë të tillë. Shkova aty për të performuar dhe performanca ime nuk shkoi sipas planit. Të shtunën unë humba dhe e pranoj këtë si burrë”.
“Kurrë mos i lejo sukseset të të ndikojnë në mendësi dhe dështimet të të ndikojnë në zemër. Është e vështirë, kur humbet ndihesh se po ta shkoqin një pjesë tënden nga trupi yt, por unë s’do të ndryshoj asgjë, jam ende ambicioz dhe do të ec me kokën time lart si kampion”.
Joshua nuk u duk asnjëherë në rregull gjatë meçit, siç dëshmojnë edhe pamjet para dhe gjatë tij. Veprimet e britanikut ishin të çuditshme, mezi lëvizte dhe madje u duk paksa i trullosur ende pa rënë kambana e fillimit të meçit.
Në një video të publikuar së fundmi, Joshua nuk duket i 100% i gatshëm në qoshen e tij para meçit. Njëri prej anëtarëve të ekipit të tij shihet duke ia mbajtur kokën me dorë tërë kohën, transmeton Gazeta Express.
Just look at Anthony Joshua before the Andy Ruiz Jr fight. Something was definitely wrong ?pic.twitter.com/WkNSYkzuoy
— GiveMeSport Boxing (@GMSBoxing) June 3, 2019
Megjithatë, Joshua do ta ketë mundësitë të hakmerret në fund të këtij viti pasi që të martën, promotori i Joshuas, Eddie Hearn, konfirmoi se rimeçi mes Anthony Joshuas dhe Andy Ruizit do të ndodhë në nëntor ose dhjetor.