Katër persona janë dënuar për krime urrejtjeje dhe kërcënime ndaj yllit të Real Madridit, Vinicius Junior, pas një incidenti famëkeq në vitin 2023, përpara derbit të Madridit. Të dënuarit janë të lidhur me grupin ultra të Atletico Madridit, Frente Atletico.
Ngjarja ndodhi një natë para ndeshjes së Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Atletico Madridit. Një kukull fryrëse, e veshur me fanellën e Viniciusit, u var nga një urë në një nga autostradat kryesore të kryeqytetit spanjoll, pranë qendrës stërvitore të Valdebebas. Përkrah kukullës ishte vendosur një banderolë e madhe me mbishkrimin: “Madrid urren Realin”.
Pas dy vitesh hetime dhe procesi gjyqësor, katër persona janë shpallur fajtorë për krime urrejtjeje dhe kërcënime, sipas Diario AS. Njëri prej tyre u dënua me 15 muaj burg për krimin e urrejtjes racore dhe me 7 muaj shtesë për kërcënime. Ai mori një dënim më të rëndë për shkak se veprimi ishte publikuar në rrjetet sociale.
Tre të tjerët u dënuan me nga 7 muaj burg për krime urrejtjeje dhe 7 muaj për kërcënime. Gjithashtu, atyre iu vendosën gjoba që variojnë nga 720 deri në 1.084 euro.
La Liga ishte institucioni i parë që e çoi çështjen në gjykatë dhe deri vitin e kaluar, në futbollin spanjoll nuk kishte ndodhur kurrë që të jepeshin dënime me burg për krime urrejtjeje. Megjithatë, për shkak të abuzimeve të shumta ndaj Vinicius Junior, ka pasur përpjekje — ndonëse diskutabile nëse janë të mjaftueshme — për të forcuar masat kundër racizmit. Tashmë janë dhënë disa dënime, dhe ky është më i ashpri deri më tani. Sidoqoftë, fenomeni mbetet ende një problem i zakonshëm në futbollin spanjoll./Express