×
  • Sport
  • Sport

    KOK-u kërkon nga AIBA ta ndëshkojë menjëherë Serbinë

    Reporteri
    24 Tetor 2021 | 21:11

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i ka kërkuar Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA) të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, pasi kjo e fundit nuk i lejoi boksierët kosovarë të futeshin në territorin e saj për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit të dielën.

    Boksierëve të Kosovës i është mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, pasi autoritetet serbe nuk i lejuan ata të futen në territorin e Serbisë, duke i kthyer mbrapsht tri herë radhazi.

    Pasi kalimi i kufirit me Serbinë në Merdare iu ishte mohuar të shtunën fillimisht, Federata e Boksit e Kosovës ishte këshilluar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA) që të tentonte përsëri ta kalonte kufirin me Serbinë në, por këtë herë pa shfaqur ndonjë simbol shtetëror të Kosovës.

    Ata s’u lejuan brenda Serbisë as pa simbole shtetërore të Kosovës.

    AIBA i reagoi Serbisë të shtunën, duke e quajtur të papranueshëm kthimin mbrapsht të boksierëve kosovarë dhe duke i bërë thirrje Serbisë të mos e trajtojë ndryshe Kosovën nga vendet e tjera pjesëmarrëse në Botëror.

    Por as reagimi i AIBA-s, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2014, nuk i la përshtypje qeverisë serbe e cila e ktheu ekipit e boksit të Kosovës mbrapsht për herë të tretë të dielën, ditën kur nis botërori i boksit në Beograd.

    Tani, KOK-u i është drejtuar sërish AIBA-s përmes një letre zyrtare.

    “Në letrën e presidentit Ismet Krasniqi dërguar presidentit të AIBA-s, Umar Kremlyov, thuhet se fituesja e vetme e kësaj situate është Qeveria e Serbisë, e cila ndërhyri në çështjet sportive, duke ua mohuar boksierëve të Kosovës të drejtën e garimit me boksierët tjerë. KOK ka kërkuar që kjo çështje të mos kalojë në heshtje, por të merren masa ndaj organizatorit, derisa janë përmendur edhe dëmet që I shkaktohen boksit të Kosovës me veprimin e sotëm të Serbisë”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

    KOK ka reaguar edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, nga të cilët po ashtu pret të merren masa.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!