×
  • Sport
  • Sport

    Komentatori i sportit i servilohet skajshmërisht ‘Artmotion’ – e quan lajm të mirë për Kosovën tenderin e dyshimtë të FFK-së që e fitoi kompania e Shkelqim Devollit

    Reporteri
    03 Shtator 2020 | 20:49

    Komentatori i njohur i futbollit, Andin Lokaj, e ka quajtur lajm të mirë për shtetin e Kosovës faktin se kompania vendore “Art Motion” e ka fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të superligës së Kosovës në futboll. Ky tender u raportua në media si i dyshimtë, derisa edhe nga klubi i futbollit Trepça ’89, kanë thënë se nuk iu është dhënë asnjë informatë rreth këtij procesi dhe po kërkojnë ri-tenderim.


    Lokaj e ka uruar e lavdëruar kompaninë në pronësi të oligarkut Shkelqim Devolli, ‘Art Motion’, dhe ka thënë se nga kjo kontratë, sipas tij serioze, e që në realitet tashmë rreth saj janë ngritur shumë, sipas tij ekipet e Superligës do të fitojnë shumë më tepër sesa kishin fituar derisa të drejtat e transmetimit të ndeshjeve i kishte Supersport.

    “Të drejtat televizive që i fitoi kompania jonë Art Motion është lajmi më i mirë i viteve të fundit që ka mundur t’i ndodhë shtetit tonë. Atyre që ju themi lamtumirë i falënderojmë për shitje patriotizmash të rrejshëm. Kuq e zi me vjet e vjet vetëm për të mashtruar popullin e shkretë kosovar që ende beson në to. Morri fund ajo punë”, ka thënë Lokaj, në një prononcim për portalin Periskopi.

    Ai ka shtuar se Federata nuk kishte pranuar asnjëherë ndonjë kontratë serioze dhe të mirë për vetë këtë shtëpi të futbollit në lidhje me të drejtat e transmetimti, por as për ekipet e Superligës.

    “Klubet vetëm nëse tregohen egoiste nuk do ta përqafojnë realitetin e ri. Deri më tani secili klub kishte përfituar nga 22 mijë e 500 euro për 1 vit kalendarik, ndërsa me kontratën e re të Art Motion brenda 10 muajsh do të përfitojnë nga 38 mijë euro”, ka thënë Lokaj.

    Po ashtu, ky gazetar që për pesë vjet personalisht e ka drejtuar zyrën kosovare të firmës shqiptare Supersport, e ka kritikuar këtë kompani, duke e quajtur platformë terri.

    Supersport i pati të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll, këto 8 vjetët e fundit.

    “Morën fund dallaveret e një mediumi që bënte çka donte në shtetin tonë, madje disa vite operoi edhe ilegalisht në territor të huaj. Ende po vepron, por jo me Superligë më. Dhe e di që kjo i dhemb shumë ngase ishte mësuar keq. Si fëmiu kur lazdrohet ishte mësuar ajo Kompani. Pas 8 viteve terri gjatë së cilës periudhë gjërat nuk ndryshuan aspak për të mirën e futbollin tonë, më në fund shfaqet një dritë në tunel”, ka thënë Lokaj. “Gjatë këtyre 10 viteve sa është e pranishme ajo platformë e territ në vendin tonë, përfituan vetëm disa individë të lidhur për interesa të tyre të ngushta. Këtë ua kishte mundësuar edhe i ndjeri Vokrri i cili mendonte se do të hecnin gjërat përpara, por nuk ndodhi ashtu”.

    Për atë që ndodhi në lidhje me shitjen e të drejtave të transmetimit, Lokaj ka bërë edhe një koment interesant.

    “Urime fituesit (Art Motion) lamtumirë humbësit (Supersport)”, ka thënë ai, sipas Periskopi.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit.

    Gazeta Express ka raportuar se një komision i FFK-së e ka përgatitur një raport nga ky proces, përmes së cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që ta shpall “Artmotion” fitues të transmetimit të kampionatit të ri.

    Fitorja e “Artmotion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para hapjes së tenderit.

    Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

    Dyshime mbi këtë proces ka edhe Trepça ’89, klub ky me nam në Superligë. Klubi nga Mitrovica thotë se nuk i është dhënë asnjë informatë rreth këtij procesi, derisa kërkon ri-tenderim.

    “Nuk dimë asgjë se çka po ndodh. Çfarë demokracie është kjo? Pse nuk janë ftuar tre përfaqësues të klubeve në Komision nga FFK-ja. Këtu diçka ka, por çka nuk e di. Unë do ta ngrij zërin në takim kur të ftohemi. Do të kërkoj ri-tenderim. Nëse “Artmotion” i ka ofruar 380 mijë euro, atëherë duhet të hapet një ri-tenderim nëse ka të interesuar që jap më shumë. Kushdo që jap para më shumë le t’i fitojë. Duhet t’i mundësohet edhe Digitalbit dhe çdo të interesuari tjetër. Unë ju garantoj se futbolli kosovar do të dëmtohet. Njerëzit janë të abonuar në Digitalb dhe e kanë të mundimshme ndërrimin e reserverëve”, deklaroi Zeka për Express.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!