Kosova sonte përballet me Poloninë për EURO 2020

Kosova takohet me Poloninë sonte në orën 20: 00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për Kombëtaren kosovare, kjo është ndeshja e parafundit e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”.


Djelmoshat e Taip Ramadanit prej të premtes kanë punuar në Prishtinë, që ndeshjen me Poloninë ta presin sa më të përgatitur. Në kampin e Kosovës ka optimizëm për paraqitje të mirë, por po ashtu respekt ndaj kundërshtarit.

Kosova në prill kishte fituar ndaj Izraelit (27:24) në një sukses historik për sportin kosovar. Tani është koha për paraqitje të denjë ndaj Polonisë.

Selektori Ramadani është optimist për ndeshjen e nesërme dhe i kënaqur me punën që kanë bërë hendbollistët.

“Pas humbjes që e pësoi në Izrael në tetor, Polonia ka bërë ndërrime në formacion. Trajneri Patryk Rombel ka imponuar një taktikë të re, me të cilën ka pasur suksese në momente, në ndeshje kundër Gjermanisë, në prill. Është hera e tretë që takohemi me Poloninë. E njohim mirë cilësinë e saj dhe poashtu dobësitë që ka. Tash mbetet te ne që të përfitojmë nga këto dobësi. Jam i kënaqur me përgatitjet tona deri më tani. Djemtë po punojnë në nivel të lartë dhe janë të fokusuar në detyra. Më lë përshtypje fakti që janë duke diskutuar më shumë mes vete gjatë stërvitjeve dhe janë duke analizuar lojën e polakëve më me vëmendje”, ka theksuar selektori Taip Ramadani.

Prej lojtarëve që i kishte llogaritur, Ramadani në përbërje nuk i ka Bujar Ramosajn e Rron Ramadanin.

“Na mungojnë mbrojtësi Ramosaj, që ka bërë një operim në dorë para pak ditësh dhe Rron Ramadani. Por shpresoj që mund të kompensojmë këto mungesa në mënyra tjera. Alo e majtë, Lulzim Shabani, do të debutojë në Prishtinë, pas një sezoni të mrekullueshëm me Kastriotin. Ka shpejtësi mahnitëse dhe potencial që në të ardhmen të zhvillohet në lojtar të nivelit të lartë. Familja, shoqëria dhe klubi duhet të krenohen me të. Shpresojmë për një mbështetje nga tribunat dhe të jeni të sigurtë se do të derdhim edhe djersën e fundit në parket”, premton Ramadani.