×
  • Sport
  • Sport

    Kosova U21 mposhtet në Estoni, disfatë e hidhur në ndeshjen e fundit kualifikuese të “Euro 2025”

    Reporteri
    15 Tetor 2024 | 21:06

    Përfaqësuesja U21 e Kosovës e ka përfunduar me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2025, pasi në ndeshjen e fundit të grupit humbi me rezultat 3:1 në udhëtim ndaj Estonisë. Pas një humbjeje 4:0 nga Polonia, të premten, në “Fadil Vokrri”, Dardanët e rinj nuk arritën të riktheheshin në rrugën e rezultateve pozitive as në sfidën e së martës në Tallin.

    Pjesa e parë u mbyll me dy gola në disfavor të Kosovës. Në minutën e 21-të, Tristan Teevali realizoi nga pika e bardhë, ndërsa Patrik Kristal shënoi për 2:0 në minutën e 44-t.

    Kosova përjetoi edhe më shumë vështirësi pas ndëshkimit të Yll Ibrahimit me karton të kuq në minutën e 70-të, çka e la ekipin me një lojtar më pak. Megjithatë, të përzgjedhurit e Afrim Tovërlanit arritën të ngushtojnë rezultatin me një supergol nga gjuajtja e lirë e Milot Avdylit në minutën e 77-të.

    Në momentet kur Kosova po bënte përpjekje që me 10 lojtarë të barazojë shifrat, Estonia shfrytëzoi një rast dhe vulosi fitoren me golin e tretë nga Taaniel Usta, për rezultatin përfundimtar 3:1.

    Kosova e mbylli Grupin D në vendin e katërt me 12 pikë. Gjermania kryeson grupin me 26 pikë, e ndjekur nga Polonia me 22 pikë, ndërsa Bullgaria përfundoi e treta me 13 pikë. Estonia u rendit e pesta me 7 pikë, ndërsa Izraeli i fundit me 4 pikë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!