×
  • Sport
  • Sport

    Kthehet Liga e Kampionëve: Reali dhe Juve synojnë përmbysje kundër Cityt e Lyonit

    Reporteri
    07 Gusht 2020 | 8:26

    Pas gati pesë muajve ndërprerje shkaku i përhapjes së koronavirusit, Liga e Kampionëve kthehet të premten me dy superpërballje në orën 21:00, kur edhe do të zbulohet dy çerekfinalistët e parë të këtij edicioni.


    Manchester City – Real Madrid

    Manchester City e ka epërsinë 2:1 nga ndeshja e parë, e zhvilluar në Santiago Bernabeu, dhe do të tentojë mbajë atë epërsi sonte kundër Real Madridit, në mënyrë që ta bëjë edhe një hap drejt titullit të parë të Ligës së Kampionëve në histori, transmeton Gazeta Express.

    Ndërsa, Real Madridi vjen në këtë duel pas triumfit në garën për titullin e La Ligës dhe është i motivuar që ta përmbysë rezultatin për ta përmirësuar edhe më shumë rekordin mbresëlënës në sezonet e fundit të Ligës së Kampionëve.

    Më i rrezikshmi te skuadra e Manchester Cityt vlerësohet Gabriel Jesus, i cili ka shënuar në pjesët e para të katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të skuadrës së Pep Guardiolës. Ndërsa Karim Benzema i ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e fundit të skuadrës së Zinedine Zidane.

    Juventus – Lyon

    Pasi u shpall kampion i Serisë A për herë të nëntë radhazi, Juventusi do të duhet ta përmbysë deficitin 1:0 për ta arritur çerekfinalen e Ligës së Kampionëve për të katërtin sezon radhazi.

    Në anën tjetër, Lyoni pësoi disfatë në finalen e Kupës së Ligës kundër Paris Saint-Germainit, mirëpo tregoi formë të mirë në atë ndeshje.

    Paulo Dybala i Juventusit i ka shënuar tri nga golat e tij në këtë sezon të Ligës së Kampionëve në ndeshjet e zhvilluara si vendas, ndërsa Memphis Depay i ka shënuar pesë gola në këtë garë këtë sezon.

    Fituesit e këtyre dy përballjeve do të përballen mes vete në çerekfinale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!