×
  • Sport
  • Sport

    Kujtim Shala tregon momentet e vështira në futboll: Serbët më shanin, bënin thirrje për të më vrarë

    Reporteri
    14 Maj 2019 | 13:47

    Ish futbollisti i Partizanit të Beogradit, Dinamos së Zagrebit dhe i Prishtinës, kosovari Kujtim Shala, në një intervistë për mediat kroate ka zbuluar disa detaje nga karriera e tij e pasur e futbollit. 


    Futbollisti nga Prizreni kishte veshur fanellën e Partizanit në sezonin 1983/84, por pas atij sezoni ai vendosi të vazhdojë karrierën e tij në një klub që po luftonte për mbijetesë. “Të gjithë më thanë se isha i çmendur, sepse Partizani ishte një forcë në vete, me futbollistë si Vukotiq, Mance, Cava Dimitrijeviq dhe unë nga një klub i tillë shkova te Prishtina, një klub që po luftonte për mbijetesë”, ka thënë ai për portalin kroat Index, transmeton Reporteri.net.

    Pas një sezone të shkëlqyeshme në Prishtinë, klubet e “katërshes së madhe” ishin të interesuar për të.

    “Mua më kërkonte Hajduku, për shkak të faktit se shumë njerëz në Prizrenin tim favorizonin atë klub. Ante Zaja, operatori i parë i Hajdukut, tentoi të më bindë por nuk pati sukses. Në lojë ishte po ashtu edhe Partizani. Zvezda nuk vinte në konsideratë kur u largova nga Prishtina në ’88, sepse nuk kishte asnjë shans që në kohën e përshkallëzimit të terrorit serb mbi popullatën shqiptare në Kosovë, të shkoj në një klub, tifozët e së cilit përkrahin politikën serbomadhe. Vetëm Dinamo mbeti si zgjidhje për ta marrë në konsideratë”, rrëfen ai.

    Ai thekson se fyerjet që ai mori nga tifozët serbë në ndeshjet që pasuan ishin bizare.

    “Fyerjet që mora nga tifozët, por edhe lojtarët e klubeve serbe, as nuk mund t’i imagjinoni. Sa herë më kanë sharë nënën, më quanin irredentist, terrorist…, rrëfen tutje ai. 

    Shala tregon se në mesin e tyre kishte edhe të tillë që bënin thirrje për ta vrarë.

    “E njëjta situatë ishte edhe në Nish, Novi Sad …”Vrisni shqiptarin”, të gjithë vazhdimisht ulërisnin”, rrëfen ai për ditët e tij të arta por njëkohësisht edhe të vështira në futboll. 

    Shala ka lindur në vitin 1964 në Prizren. Ai luajti për Lirinë, Partizanin, Prishtinën, Dinamon, Stade Rennes, Fortuna, Laipcig dhe Mannheim. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!