Milot Rashica para se Kosova të pranohej në FIFA e UEFA ishte pjesë e Shqipërisë.
Ai ishte në listën e gjerë të De Biasit për Evropianin 2016, por në fund strategu italian vendosi të mos e përfshinte në listën finale.
Altin Lala në një intervistë ekskluzive për Sportin në KTV ka thënë se edhe e ka sharë De Biasin, pasi ky i fundit nuk e mori me vete Rashicën në EURO 2016, transmeton Reporteri.net
“Po të ftohej në Evropian, nuk do të mund të luante për Kosovën. Ua kam thënë që Milotin e kishit aty dhe nuk e mbajtët. Vendimi i tij për të luajtur për Kosovën është vendim i duhur, pasi Miloti është prodhim i Kosovës, ka dal nga Vushtrria, nga futbolli në Kosovë. Edhe unë po të isha në vend të Milotit, kështu do të vendosja. Unë i kam thënë Milotit vendos me zemër,” ka thënë Lala për Sporti në KTV.
“Ne faktikisht të gjithë e duam Shqipërinë dhe Kosovën, faktikisht jemi një. Në një të ardhme, shpresoj që të luajmë për një Kombëtare. Unë jam për një Kombëtare. Unë nuk kam lënë gjë pa i thënë De Biasit. Kam qenë i surprizuar, pasi kam menduar që Miloti do të ishte pjesë Kombëtares për Evropian dhe të luante në formacionin e Kombëtares. Në atë kohë, Miloti ishte lojtari më i mirë që kishte shqiptaria. Kishte shënuar 9 gola me Vitessen dhe kishte dhe shumë asistime. Ishte në formë shumë të mirë, djalë i ri, 19 vjeç.
“Të gjithë kanë luajtur në mosha të reja dhe mosha nuk është argument. Aq më tepër, kur Shqipëria u mbronte, po themi në stilin italian të De Biasit dhe me lojtar si Miloti do të mund të kalonte ndoshta edhe deri në çerekfinale. Për mua ishte vendim i gabuar dhe sa herë që e shoh De Biasin e shajë, kuptohet që me shaka, pasi ne kemi raporte të mira me njëri tjetrin. Tallem me të shpesh, i them që nuk merr vesh nga futbolli, ose nga futbolli në sulm, kurse për mbrojtje din mirë”.