Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, është padyshim një nga asetet më të vlefshme të klubit për momentin. Megjithatë, ky status natyrisht që sjell edhe një rritje të ndjeshme të pagës për 17-vjeçarin.
Blaugranat janë në bisedime për një kontratë të re me agjentin e tij, Jorge Mendes, prej disa muajsh, dhe portugezi ka qenë i bindur se fituesi i Euro 2024 do të firmosë një marrëveshje të re me klubin katalanas.
Me një kontratë që skadon në vitin 2026, Lamine Yamal nuk mund të nënshkruajë për më shumë se tre vite për shkak të moshës së tij. Për këtë arsye, çdo firmosje zyrtare e kontratës së re pritet të ndodhë në korrik ose gusht, pasi të ketë mbushur 18 vjeç. Kur ai ra dakord për kontratën e tij të fundit, u raportua se një marrëveshje deri në vitin 2030 ishte gjithashtu planifikuar.
Megjithatë, kjo ndodhi para se ai të bëhej një yll i Spanjës dhe një titullar i rregullt për Barcelonën. Për rrjedhojë, Mendes ka kërkuar rinegocim të kushteve për një marrëveshje më të drejtë – dhe Barcelona nuk ka asnjë interes të zhgënjejë talentin e saj më premtues. Pas një takimi katër-orësh me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, në Lisbonë, para përballjes së Champions League me Benficën, Mendes përsëriti se rinovimi do të ndodhë.
“Kemi folur vetëm për Lamine dhe gjithçka është në rregull. Ai do të rinovojë, do të rinovojë,” tha Mendes për Relevo.