Lojtari i Manchester Unitedit, Jesse Lingard, e ka përshkruar ish-yllin e Djajve të Kuq, tani në Real Madrid, Cristiano Ronaldo, si Michael Jordanin e futbollit.
Para rinisjes së sezonit të NBA më 30 korrik, mesfushori i Manchester Unitedit dhe tifozi i Toronto Raptors, Jesse Lingard, u pyet ta zgjedh një futbollist, arritjet e së cilit mund të krahasohen me ikonën e NBA, Michael Jordan, i cili i fitoi gjashtë titujt me Chicago Bulls në vitet e 90-ta, transmeton Gazeta Express.
“Unë duhet ta përmend Cristiano Ronaldo, shkaku i gjithçkaje që ai e ka arritur në karrierë. Ai ka qenë në shumë klube dhe ka fituar shumë trofe. Unë besoj se ai është ikonë e vërtetë e futbollit, besoj se ai është Michael Jordani i futbollit”, ka thënë Lingard.
“Kur Ronaldo erdhi në Manchester United, unë isha 11 apo 12-vjeçar. Ne e bëmë një video me aftësitë tona dhe ai aty na mësonte disa trike. Ajo ishte hera e parë që e pashë atë. Ai ishte i ri dhe tepër i hollë kur erdhi në klub”.
“Kam luajtur disa herë kundër tij. A më shkaktoi ai telashe? Jo, nuk shkoi shumë keq, që ta them të vërtetën. E kishim vetëm edhe një ndeshje të mbetur në parasezon kur ai erdhi dhe ju mund ta vërenit menjëherë cilësinë që ai e solli në skuadër”.
Lingard parashikoi edhe finalen e këtij sezoni të NBA, që s’e ka nisur ende fazën e play-offs.
“Në Lindje, Raptors, natyrisht. Duhet t’i përkrah Raptors. Ndërsa, Lakersat nga Perëndimi. Gjithmonë ka shumë fjalë për Lakers dhe ata i kanë disa lojtarë të mrekullueshëm në skuadër. Mendoj se ata mund të shkojnë deri në finale, pa asnjë dyshim”, shtoi Lingard.