×
  • Sport
  • Sport

    Lojtarët më të mirë në EURO 2020

    Reporteri
    12 Korrik 2021 | 16:10

    Gianluigi Donnarumma u zgjodh futbollisti më i mirë i “Euro 2020”, Cristiano Ronaldo golashënuesi i turneut dhe Pedri lojtari më i mirë i ri i Evropianit.


    Kampionati Evropian e lëshoi perden e tij dhe tash është koha për t’i bërë llogaritë. Pas përfundimit të ndeshjes finale, siç e do zakoni, u zgjodhën më të mirët e turneut.

    Pa asnjë diskutim, çmimi i lojtarit më të mirë të “Euro 2020” iu dha Gianluigi Donnarummas.

    Portieri italian i udhëhoqi “Azzurrët” drejt suksesit të jashtëzakonshëm në këtë garë. Ai ishte protagonist me pritjet e tij në secilën ndeshje. Ndërsa, ishte vendimtar në pritjet e penalltive në ndeshjen gjysmëfinale me Spanjën, e mbi të gjitha me Anglinë. Ndaj “Tre Luanëve” në finale, portieri i Milanit i priti dy 11 metërsha.

    Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i turneut u shpall Cristiano Ronaldo. Ylli portugez i realizoi 5 gola në 4 ndeshje sa i zhvilloi. 5 gola i kishte edhe Patrik Schick i Republikës Çeke. Por, Ronaldo e fitoi çmimin pasi e pati edhe një asistim dhe luajti më pak.

    Ndërkaq, talenti spanjoll Pedri u zgjodh lojtari më i mirë i ri i “Euro 2020”. 18 vjeçari bëri paraqitje mbresëlënëse me “Stuhinë e Kuqe”. Madje, yllin e ri të Barcelonës kanë nisur ta krahasojnë qysh tash me legjendën, Andres Iniesta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!