Kosova dhe Shqipëria, të dyja i kanë fituar sonte ndeshjet e tyre kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Djelmoshat e kombëtares së Kosovës shënuan fitoren e tyre të parë, pasi mposhtën Andorrën me rezultat të thellë 3:0, shkruan Reporteri.net.
Milot Rashica ishte autori i dy golave sonte, njërin në minutën e 25-të dhe tjetrin në minutën e 71-të.
E në të 83-tën, Altin Zeqiri realizoi golin e parë me fanellën dardane për ta vulosur një mbrëmje të bukur të ekipit kosovar.
Megjithatë, ndonëse shënuan fitore, kombëtarja e Kosovës e ka të pamundur ta kalojë fazën kualifikuese.
Ajo është shumë larg pozitës së dytë në tabelë; Kosova, me 7 pikë, gjendet në pozitën e katërt.
Mirëpo, derisa me dardanët nuk duket se do të ketë përfaqësim në Euro 2024, kombëtarja e Shqipërisë u përkujdes që “shqiponja të fluturojë” e t’i afrohet shumë afër kualifikimit.
Kjo pasi Shqipëria vulosi një tjetër fitore, kësaj radhe kundër Çekisë, po ashtu me rezultat 3:0.
Kombëtarja shqiptare kaloi në epërsi qysh në fillim të pjesës së parë, ku në minutën e 9-të golin e epërsisë e shënoi Jasir Asani, i cili festoi me plis.
Taulant Seferi ishte autor i dy golave që pasuan.
Shqipëria tash triumfon në grupin E, me 11 pikë të grumbulluara. /Reporteri.net/.