×
  • Sport
  • Sport

    Mjeku i Maradonas rrëfen në detaje gjendjen shëndetësore të legjendës para vdekjes: Nuk kam asgjë për të fshehur

    Reporteri
    30 Nëntor 2020 | 13:20

    Policia në Buenos Aires i ka nisur hetimet lidhur me trajtimin që ka marrë Diego Maradona disa javë para vdekjes së tij.


    Legjenda argjentinase ndërroi jetë në moshën 60 vjeçare nga një sulm në zemër, ndërsa mjeku i tij ka thënë se nuk ka asgjë për të fshehur dhe është krenar me trajtimin që ia ka administruar ikonës së futbollit.

    Policia në Buenos Aires kishte shkuar në shtëpinë dhe klinikën private të mjekut Leopoldo Luque dhe ka mbledhur dosje, duke qenë se prokurorët kanë nisur hetimin lidhur me rrethanat e vdekjes së Maradonas.

    Kampioni i botës ndërroi jetë në javën e kaluar në shtëpinë e tij, ku ishte duke u rikuperuar pas ndërhyrjes kirurgjike për heqjen e një trombi në tru.

    Dr. Luque u ka thënë gazetarëve të dielën se e ka mbështetjen e ekipit profesional, Shoqatës Argjentinase për Neurokirurgji.

    Maradona i ka marrë vet vendimet

    Mjeku njëherësh ka treguar se legjenda, i cili ka pasur probleme me vartësinë nga alkooli dhe droga, kishte marrë vendim që periudhën e rikuperimit pas operacionit ta kalonte në shtëpi.

    “Të gjithë ishim grumbulluar për më të mirën për Diegon: mjekët, unë, familja e tij. Asgjë nuk mund të bëhej pa vullnetin e tij”.

    “Ne u përpoqëm të bënim një skemë kontrolli për çështjen e barnave që i merrte dhe të kontrollonim konsumimin e alkoolit”.

    “Nuk kishte kriter mjekësor (për ta mbajtur Maradonan në spital). Kemi mundur ta dërgonim në një qendër rehabilitimi, por na duhej miratimi i Diegos. Ishte vendimi i tij”, ka deklaruar Dr. Luque, citon AS.

    Nuk ka gabim mjekësor

    “Këtu nuk ka vendim, ka kritere mjekësore. Kur ke të bësh me një pacient, kriteri i lëshimit varet nga pacienti. Nuk ka pasur kurrfarë gabimi mjekësor”.

    “Ai ka pasur problem me zemër që mund të ndodhë te një pacient si ai. Gjithçka e mundur është bërë për ta zvogëluar atë mundësi, mirëpo nuk mund ta bllokosh mundësinë”.

    “Kam pasur miratimin e plotë të Shoqatës Argjentinase të Neurokirurgjisë që Diego kishte nevojë për operacion. Gjashtë mjekë e kanë ekzaminuar. Vdekja nuk ka pasur të bëjë (me ndërhyrjen kirurgjike)”.

    “Ai u lëshua pas operacionit. Gjëja ideale për të do të ishte që t’i nënshtrohej rehabilitimit, por ai nuk deshi. Ne e morëm një infermiere që ta shoqëronte, por ai e kishte lëshimin mjekësor”.

    “U përpoqëm ta mbanim në klinikë, mirëpo nuk është një qendër rehabilitimi. E zgjata hospitalizimin sa më shumë që munda”.

    “Jam në dispozicion të departamentit të drejtësisë. Me Diegon, e bëra më të mirën e mundshme. Jam krenar me atë që kam bërë. Nuk kam asgjë për të fshehur”, ka rrëfyer më tej Dr. Luque.

    Avokati ka kërkuar hetim të plotë

    Avokati i Maradonas, Matias Morla, kërkon që të bëhet hetim lidhur me vdekjen e legjendës argjentinase duke e quajtur “krim të pashpjegueshëm dhe idiot”.

    “E ndjej në zemër humbjen e një miku, të cilin e kam respektuar me besnikëri deri në ditën e fundit. E kam përshëndetur personalisht, funerali duhet të jetë një moment privat dhe familjar”.

    “Në bazë të asaj që ka thënë prokurori i San Isidro, është e pashpjegueshme që për 12 orë, Diego nuk ka pasur vëmendje ose kontroll nga personeli mjekësor”.

    “Ambulancës iu desh më shumë se gjysmë ore për të arritur, ishte një krim idiot. Ky fakt nuk duhet të kalojë pa u vërejtur dhe ju kërkoj që ta hetoni deri në fund”.

    “Siç më ka thënë Diego: ‘Ti je ushtari im, i cili punon pa mëshirë’”, kanë qenë fjalët e avokatit të Maradonas në një komunikatë zyrtare.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!