Vedat Muriqit iu është shpërblyer forma e mirë që e ka treguar me ish-skuadrën e tij tashmë Rizespor, pasi gjiganti turk Fenerbahçe arriti që t’i sigurojë shërbimet e tij.
Sulmuesi prizrenas kishte arritur shifra dyshifrore sezonin e kaluar, duke qenë kështu golashënuesi i dytë më i mirë në Turqi, shkruan Reporteri.net
Ai hodhi një hap mjaft të madh në karrierën e tij duke u transferuar tek skuadra e madhe turke, por që sezonin e kaluar pati një edicion zhgënjyes.
Në një intervistë për Indeksonline, Muriqi ka folur për transferimin e tij në Fenerbahçe dhe për ndeshjen e klubit me Bayernin e Mynihut.
“Kam ardhur me një klub, që është klubi më i madh në Turqi. Për adaptim nuk kam pas problem nga që njihna edhe me disa lojtarë këtu që nga më herët. Besoj se jam adaptuar 100 %. Mezi po pres të fillojë kampionati që t’i tregojë aftësitë e mia me fanellën e Fenerbahçes”, është shprehur Muriqi.
Ai ka folur edhe për ndeshjen e sotme që Fenerbahçe e zhvillon ndaj Bayernit të Mynihut.
“Sa i përket ndeshjes me Bayern Munich, është një turnir mjaft prestigjioz për neve lojtarët, poashtu edhe për klubin. Normalisht që askush nuk mund t’i gjykojë vlerat edhe forcat e klubeve si Bayern, Tottenham e Real Madrid dhe ky është një test i jashtëzakonshëm për neve me testu veten se sa jena në nivel të Evropës. E kemi filozofinë e lojës sonë dhe shpresojmë se sonte kundër Bayernit do ia dalim me rezultat të mirë”, ka thënë Muriqi./Reporteri.net/