Sulmuesi Kosovës, Vedat Muriqi ka folur për fitoren ndaj Lituanisë.
Dardanët mundën Lituaninë (1-0), të hënën mbrëma në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.
Asi kosovar i Mallorcas, thotë se sa herë që vije tek Kosova, skuadra spanjolle frikësohet për ndonjë lëndim të mundshëm.
“Jeta e një futbollisti me lëndime por po shpresojmë që sa më pak të kemi. Sa herë po vijë këtu atje po frikësohen. Menjëherë sa dola nga loja, doktori më shkroi ‘A është gjithçka në rregull’, i thashë ‘Po, po’. Është kështu për një futbollist si unë që peshon 100 kilogramë”, ka thënë Muriqi.
Ai e ka lavdëruar autorin e golit Muharrem Jasharin. Sipas Muriqit, kombëtares sonë i ka munguar një lojtar si Jashari.
“Muharremi ka qenë edhe në grumbullimin e kaluar, ku nuk kam qenë. Për mua ka qenë surprizë dhe mendova se ku ka qenë ky lojtar më herët. I ka munguar Kosovës një lojtar si ai, sepse as nuk ka qenë në pozitën e tij dhe në Rumani krijoi disa aksione. Po më vjen mirë që Kosova ka një gjeneratë të re”, tha ai.
Muriqi mendon se Kosova ka një grup të shkëlqyer të lojtarëve.
“Kemi një grup të shkëlqyer që kalojmë kohë së bashku, besoj që me Rumaninë e kemi treguar, ku vendosëm si grup. Në shtatë vite, ka qenë ndeshja më e mirë në çdo aspekt që kemi bërë me Rumaninë. Iu thashë lojtarëve të mos e ulim ritmin, e nisëm mirë me golin e Mulit por pastaj kartoni i kuq, na bëri të kthehemi në mbrojtje. Tani do ta presim shortin dhe të shohim se me kë do të përballemi, sepse kundërshtarët janë më të fortë me gjithë respektin”, ka përfunduar Muriqi për RTK-në.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.