Vedat Muriqi mund të rikthehet në futbollin turk, aty ku kishte lënë gjurmë të mëdha.
Me Rizesporin dhe Fenerbahçen, sulmuesi kosovar kishte eksperienca të jashtëzakonshme, të cilat ia mundësuan më pas transferimin në dy prej ligave më të forta evropiane, në Serie A e në La Liga.
Por tash, pas përvojës së shkëlqyeshme që e pati në Mallorca në vitet e fundit, duket se ka ardhur koha për t’u larguar nga Spanja.
Mediat turke raportojnë se interesim për “Piratin” ka shfaqur rivali i ish-ekipit të tij Fenerbahçe, Besiktasi.
Sipas “trhaber”, ish-futbollisti i Lirisë ka mundësi të mëdha që të rikthehet në Superligën turke, ndrësa bisedimet mes palëve tashmë kanë nisur, përcjell “Gazeta Express”.
Bardhezinjtë nga Stambolli e kanë futur në listën e dëshirave të tyre gjigantin nga Prizreni.
Besiktasi dëshiron të përforcohet mbi të gjitha në fazën ofanzive për të pasur sukses në ligë dhe në Evropë në sezonin tjetër, ndërsa në “llupë” të drejtuesve të klubit janë lojtarët e njohur si Vedat Muriqi, Patrik Schick, Gonçalo Guedes e Salih Özcan.
Muriqi ishte transferuar në Lazio për 21 milionë euro pas eksperiencës pozitive në Fenerbahçe.
Përfaqësuesi kosovar nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për t’u rikthyer në futbollin turk pasi familja e tij ndihej si në shtëpi në këtë shtet.
Ai ka luajtur në Mallorca për tri vjet e gjysmë, ndërsa ishte transferuar në ekipin ishullor spanjoll pas eksperiencës dëshpëruese që e pati në Itali me Lazion.
Muriqi i ka zhvilluar 118 ndeshje me Mallorcën dhe i ka shënuar 35 gola, ndërsa i ka bërë edhe 11 asistime.
Besiktasi po përgatitet që ta bëjë një ofertë zyrtare, ndërsa kartoni i 31 vjeçarit mund t’i kushtojë këtij klubi 5 milionë euro.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.