Rio Ferdinand është një nga futbollistët më të njohur në Angli.
Ish-kapiteni i Manchester Unitedit i ka befasuar të gjithë me rrëfimin e tij, duke zbuluar të gjitha vështirësitë që ka kaluar në jetë, nga alkooli te vdekja e bashkëshortes. Ish-mbrojtësi ka treguar gjithashtu edhe problemet brenda dhe jashtë fushe, gjatë karrierës së tij 20-vjeçare.
MARRDHËNIA ME ALKOOLIN- “Kur isha i ri isha paksa i çmendur, mund ta kaloja gjithë ditën duke pirë. Mund të pija dhjetë gota birrë e më pas të shkoja te vodka. Te Uest Ham kishte një kulturë të pijes, gjithmonë pinim pas ndeshjeve. Që nga ajo kohë kam probleme me kujtesën, njerëzit më pyesin për rezultatet me ekipin dhe nuk i mbaj mend. E kaloja tërë ditën duke pirë, ngrihesha dhe vazhdoja po kështu ditën tjetër. Ishte një kulturë tjetër, e çmendur. Futboll, alkool dhe disko. Kështu jetuam te Uest Hem.
VDEKJA E GRUAS DHE RËNIA NË DEPRESION – Jeta e Rio Ferdinand u kthye “kokëposhtë” pas vdekjes së gruas së tij, Rebeka Elison, më 2015, për shkak të kancerit të gjirit. Ish-mbrojtësi i Manchester United ngeli i ve në moshën 36 vjeç, me tre fëmijë të vegjël në kujdesin e tij. Ai e la futbollin vetëm një muaj pasi humbi gruan:
“Askush nuk është i gatshëm ta vuajë një humbje të tillë. Para se të largohej nga kjo jetë, ajo më tha se do të bëhesha baba i shkëlqyer për fëmijët. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të ndodhte, por ajo u nda nga jeta dhjetë javë pasi u diagnostikua me kancer.
Në fillim pija shumë natën, pasi i vija fëmijët në shtrat për të fjetur, derisa një ditë u zgjova dhe nuk munda t’i çoja në shkollë. Madje, bëra një aksident me makinë. Aty kuptova se nuk mund të vazhdoja kështu. Kam pësuar pa fund sulme paniku.
Kur shkonim me pushime, gjithçka që duhej të bëja ishte të merresha me valixhen time, sepse Rebeka kishte bërë gati gjithçka tjetër. Kur kalova në depresion, pyesja veten: Si të shkoj kështu te mjeku? Unë kisha parë vetëm mjekun e klubit, nuk kisha asnjë ide për sëmundjen.
RAPORTI ME KRISTIANO RONALDON- “Ronaldo ishte personi i parë, që kam parë të investojë personalisht për veten në një ekip. Unë ecja rreth shtëpisë së tij dhe shihja rreth dhjetë njerëz aty brenda. Dhe e pyeta një ditë: cilët janë këto njerëz? Çfarë po ndodh? Ronaldo m’i zbuloi: Ky është kuzhinieri im, ky është zioterapisti im, ky është mjeku im, ky është trajneri im personal.
Ai e la Mançesterin kur ishte bërë më i miri në botë. Nëse do të më duhej t’u jepja këshilla të rinjve, do t’u thoja të investojnë për veten në atë mënyrë. Kristiano është ende në krye, përveçse ka qenë në mesin e dy lojtarëve më të mirë në botë për një dekadë”.
REFUZIMI NDAJ GUARDIOLËS DHE BARCELONËS- “Unë kam qenë afër kalimit atje, ka pasur disa biseda me agjentin tim, Barça vendosi kontakte me mua… Unë fola me Rijkaard, jo për këtë çështje, por ai më njohu me qëllimet e tij. Ne e mundëm Barcelonën atë vit dhe u shpallëm kampionë europianë. Atëherë mendova, pse ta lija ekipin kampion europian për Barçën, e cila ishte në tranzicion. Në atë kohë, Ksavi, Iniesta apo Mesi nuk ishin lojtarët e mëvonshëm, yje të mëdhenj. Ishte një skenar shumë i ndryshëm në atë kohë te Barcelona”, u shpreh Ferdinand.