×
  • Sport
  • Sport

    Njihuni me talentin vushtrrias që po shkëlqen në Zvicër dhe që mezi pret të ftohet nga Kosova

    Reporteri
    17 Qershor 2019 | 12:30

    Kombëtarja e vogël Kosovës ka filluar të ecë me hapat e një burri të madh, duke shënuar sukseset më të mëdha që prej anëtarësimit të saj në FIFA dhe UEFA.


    Paraqitjet fantastike në Ligën e Kombeve dhe në kualifikueset për evropianin e ‘Euro 2020’, janë vetëm fillimet e diçkaje të madhe për Kombëtaren e Kosovës, shkruan Reporteri.net

    Si Përfaqësuesja A e Kosovës, ashtu edhe ajo e U21 shënuan fitore të lavdishme në ndeshjet e fundit, të cilat ishin historike dhe dëshmuan potencialin e talentin që posedojnë ‘Dardanët’ tanë.

    Kosova tani është shndërruar në pikë reference për të gjithë futbollistët që luajnë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, duke shprehur dëshirat që një ditë të veshin fanellën ‘verdhekaltër’, shkruan Reporteri.net

    Këtë dëshirë e ka shfaqur edhe talenti nga Vushtrria, Valdrin Salihu i cili jeton në Zvicër dhe ëndërron që një ditë ta veshë fanellën e shtetit ku lindën prindërit e tij, pra të Kombëtares së Kosovës.

    Valdrini është vetëm 18-vjeçar dhe luan në klubin SV Muttenz e cila bën gara në 1.Liga të Zvicrës, klub ky që po shënon sukses historik duke siguruar dy ngritje në liga për dy vitet e fundit.

    Suksesit të këtij klubi i ka prirë talenti nga Vushtrria i cili njihet nga shokët e skuadrës si ‘snajperisti’ i klubit, pasi është ekspert i gjuajtjeve të lira.

    Për Valdrinin, interesim kishte shprehur dikur edhe klubi më i madh në Zvicër e ku djersitën fanellën edhe Xhaka e Shaqiri, klubi i Baselit, por marrëveshja nuk ishte arritur për arsye profesionale.

    Ylli vushtrrias i cili po ndjek hapat e bashkëvendasit të tij, Milot Rashicës, luan në pozitën e anësorit të majtë, apo edhe si sulmues dhe ka një nuhatje të jashtëzakonshme të golit.

    Valdrini për Reporterin ka konfirmuar se është i gatshëm që ta veshë fanellën e Kosovës, kurdo që ftesa t’i dërgohet nga Selektori i Përfaqësueses U21 të Kosovës, Rafet Prekazi. Ai madje ka treguar se nëse do t’i jepej mundësia të zgjedhte ndërmjet Zvicrës e Kosovës, do ta zgjedhte Kosovën pa menduar dy herë.

    Përfaqësuesja e Kosovës nuk mund t’ia lejojë vetës ta humb një futbollist me potencial të madh, pasi Zvicra nuk i injoron talentët. E ka dëshmuar këtë tashmë me rastin e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit, Valon Behramit, e së fundmi edhe me Albian Ajetin.

    Derisa futbollistët e lartpërmendur ‘shkrijtën’ veten duke djersitur fanellën e një shteti tjetër, Valdrin Salihu është i vendosur që të luaj vetëm për Kosovën, pasi sipas tij, vetëm fanella e ‘Dardanëve’ i “shkon për shtati”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!