Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do ta presin në të njëjtën vazo shortin për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2028, pasi të dyja përfaqësueset janë pozicionuar në vazon e tretë.
Shorti do të tërhiqet më 6 dhjetor 2026, në Belfast të Irlandës së Veriut, duke filluar nga ora 18:00, sipas kohës së Evropës Qendrore. Në këtë ceremoni do të përcaktohen grupet dhe kundërshtarët e 54 përfaqësueseve që do të garojnë për një vend në Evropianin e vitit 2028.
Për Kosovën, pozicionimi në vazon e tretë vjen pas përfundimit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, ku fitorja 3:0 e Irlandës ndaj Dardanëve ndikoi në renditjen përfundimtare dhe në ndarjen e vazove. Irlanda përfundoi në vazon e dytë, ndërsa Kosova në të tretën.
Fakti që të dyja përfaqësueset gjenden në vazon e tretë do të thotë se nuk mund të jenë pjesë e të njëjtit grup. Megjithatë, të dyja do të kenë mundësinë të përballen me kundërshtarë të nivelit më të lartë nga vazot e para dhe të dyta.
Në vazon e tretë, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, janë edhe Skocia, Ukraina, Polonia, Rumania, Gjeorgjia, Izraeli, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Islanda dhe Sllovakia.
Gjithsej 54 kombëtare do të ndahen në 12 grupe, ku gjashtë grupe do të kenë nga katër ekipe, ndërsa gjashtë të tjera nga pesë ekipe.
Kualifikimet do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027. Fituesit e 12 grupeve do të sigurojnë drejtpërdrejt pjesëmarrjen në Evropian, ndërsa këtë të drejtë do ta fitojnë edhe tetë vendet e dyta me renditjen më të mirë.
Vendet e tjera do të përcaktohen përmes ndeshjeve të play-offit, të planifikuara për marsin e vitit 2028.
Një veçanti e këtij edicioni është se Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, si organizatore të Evropianit, do të marrin pjesë gjithashtu në kualifikime. Për to janë paraparë dy vende rezervë në rast se nuk arrijnë të kualifikohen drejtpërdrejt.
Për Kosovën dhe Shqipërinë, shorti i 6 dhjetorit do të jetë hapi i parë drejt një objektivi të madh: sigurimit të një vendi në Kampionatin Evropian 2028.