Rocco Vata, futbollist i Kombëtares së Irlandës dhe djali i ish-futbollistit shqiptar Rudi Vata, ka deklaruar se është sharë nga futbollistët kosovarë të cilët, sipas tij, i ishin drejtuar në gjuhën shqipe, duke i kujtuar prejardhjen e tij shqiptare, gjatë ndeshjes Irlandë -Kosovë në Ligën e Kombeve.
“Ata më thanë: ‘Ti je shqiptar’ dhe më pas më shanë. Unë u thashë: ‘Po, në rregull, s’ka problem’”, ka deklaruar Vata, raporton mediumi irlandez The42.
Ai ka treguar se njëri prej futbollistëve që e kishte fyer kishte ardhur t’i kërkonte falje pas përfundimit të ndeshjes.
“Lojtari erdhi dhe më kërkoi falje pas ndeshjes, gjë që ishte e mirë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Kosova u mposht nga Irlanda me rezultat 3-0 ne ndeshjen e zhvilluar të martën në Dublin.