Futbollisti Kosovar, Granit Xhaka ka pohuar se nuk do ta bëjë më shqiponjën dykrerëshe, e cila i kushtoi me gjobë atij dhe bashkëlojtarit të tij shqiptar te Zvicra, Xherdan Shaqirit, në fitoren e famshme kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Të dytë shkaktuan tërmet dhe reagime të mëdha – sidomos ankesa nga Serbia e cila i akuzoi ata për festim politik të golave – kur i festuan dy golat e fitores së Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në një ndeshje të Grupit E në Botërorin e Rusisë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, që është simbol në flamurin kombëtar shqiptar.
Dyshja nga Kosova rrezikoi pezullim të gjatë, por FIFA vendosi kundër një vendimi të tillë dhe i dënoi ata vetëm me gjoba.
Mesfushori i Arsenalit dhe sulmuesi i Liverpoolit u gjobiten me nga 10 mijë franga zvicerane secili, por morën edhe një paralajmërim nga organi qeverisës i futbollit botëror se do të ndëshkohen rëndë nëse e përsërisin të njëjtën gjë në të ardhmen.
I pyetur të martën nga gazeta zvicerane Blick për festimin me shqiponjë ndaj Serbisë, Xhaka tha: “Ishte një fitore e rëndësishme me një gol në minutën e fundit dhe një ndeshje nga e cila kam mësuar shumë”.
“Një situatë e tillë nuk do të ndodhë më. Në përgjithësi, megjithatë, unë do të reagoj më shpejt në të ardhmen nëse kam nevojë për koment apo për përmirësim”, theksoi Xhaka kur u pyet sesi do të reagonte.
Shumë futbollistë shqiptarë dhe të tjerë me prejardhje shqiptare vazhdojnë të festojnë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, por Xhaka dhe Shaqiri e bënë në një ndeshje shumë më të ndjeshme, ndaj Serbisë nga e cila Kosova e shpalli pavarësinë më 2008.
Që prej atëherë, dyshja nuk është parë duke festuar në këtë mënyrë në asnjë ndeshje.