Leart Paqarada të enjten ka bërë stërvitje të vërtetë pas një kohe shumë të gjatë.
Mbrojtësi i majtë i përfaqësueses së Kosovës ka stërvitur me Sandhausenin, që do të jetë prej skuadrave të para që do të vazhdojë me ndeshje pas ndërprerjes për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Të enjten është bërë e ditur se ndeshjet e para në Gjermani pas pushimit do të luhen të shtunën tjetër, më 16 maj.
Në Bundesliga 1 nga ora 15:30 më 16 maj luhen pesë ndeshje. Por më herët luhen ndeshjet e xhiros së 26-të të Bundesliga 2. Prej orës 13:00 më 16 maj luan edhe Sandhauseni, ku paraqiten Paqarada dhe mesfushori i Kosovës, Besar Halimi.
Kështu ata do të jenë lojtarët e parë të Kosovës që kthehen në ndeshje pas pushimit të detyrueshëm për shkak të pandemisë. Sandhauseni luan në udhëtim ndaj Aues.
Gjermania është vendi i parë që ka caktuar datën e kthimit të futbollit.
Në një prononcim për Koha.net, Paqarada ka thënë se është shumë i lumtur që po kthehet futbolli.
“Jam shumë i kënaqur. Kemi pritur gjatë për këtë lajm”, ka thënë 25-vjeçari. Ai ka një gol e katër asistime në 23 paraqitje këtë edicion. Është stabilizuar te Sandhauseni, ndërsa ka kompletuar të gjitha ndeshjet që i ka luajtur.
“Personalisht këtë periudhë e kam kaluar mirë. E kam shfrytëzuar kohën për të qëndruar me familje, ndërsa kam bërë vrapime të rregullta që ishin obligative nga ana e klubit”, ka shtuar Paqarada.
Ai ka treguar se ushtrimet në grupe të vogla i ka nisur tri javë më parë.
“Por me komplet ekipin kemi stërvitur sot për herë të parë. Edhe duele sot për herë të parë kemi pasur”.
Besar Halimi ka luajtur më pak për Sandhausenin. Në tri ndeshjet e fundit nuk kishte luajtur fare. Në 11 paraqitje e ka një gol të shënuar.
Ka dilema nëse futbolli do të jetë i njëjtë pasi të vazhdojë. Ndeshjet do të luhen pa shikues, ndërsa janë paraparë masa tjera për të ofruar siguri për të përfshirët.
“Besoj që fillimisht futbolli do të jetë pak më ndryshe se zakonisht. Ka dy muaj që nuk kemi luajtur dhe është kohë e gjatë. Mirëpo besoj se pas një apo dy ndeshjeve futbolli do të luhet si më parë”, ka shtuar Paqarada.
Në Gjermani karrierë bëjnë disa futbollistë të Kosovës, ndërsa vazhdimi i edicionit duhet të jetë lajm i mirë edhe për përzgjedhësin Bernard Challandes, raporton Koha.net.
Në Bundesliga 2 garon edhe Florent Muslija me Hannoverin, ndërsa Milot Rashica (Werder Bremen) dhe Valon Berisha (Fortuna Duesseldorf) janë në Bundesliga 1.