×
  • Sport
  • Sport

    Paqarada: S’më ka pëlqyer që është shtyrë ndeshja me Maqedoninë

    Reporteri
    18 Prill 2020 | 19:20

    Ylli i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës gjermane Sandhausen, Leart Paqarada, është optimist se, situata e krijuar për shkak të koronavirusit do të kalojë shpejt dhe bota do të kthehet në normalitet.


    Në një bisedë për Insportin, Paqarada ka treguar se si e ka kaluar kohën në karantinë.

    “E kam shfrytëzuar këtë kohë të rri më shumë me prindërit, motrën e vëllain, sepse zakonisht nuk kam shumë kohë të jem pranë tyre. Po ashtu i kemi pasur edhe disa vrapime që është dashur t’i bëjmë individualisht”, ka thënë Paqarada.

    Mirëpo, duket se në Gjermani situata është nën kontroll dhe skuadrat kanë filluar t’u kthehen stërvitjeve.

    “Fillimisht kemi nisur të stërvitemi në grupe të vogla, nga dy-tre persona, ndërsa tash po stërvitemi në grupe edhe deri në 10 vetë, por gjithsesi pa kontakte dhe duele”, ka shtuar Learti.

    Më pas ka theksuar se i vjen keq që për shkak të situatës është shtyrë edhe ndeshja e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, e vlefshme për play-offin e Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian, i cili po ashtu është shtyrë.

    “Personalisht nuk më ka pëlqyer fare që ndeshja me Maqedoninë është shtyrë, sepse isha në formë shumë të mirë dhe mezi e prisja ndeshjen, e cila është historike për Kosovën. Sidoqoftë, ndeshja do të zhvillohet dhe unë në çdo kohë do të jem i gatshëm”, është shprehur Paqarada.

    Ai ka bërë apel që njerëzit të kenë durim, sepse kjo situatë do të kalojë shpejt.

    “Është një situatë që nuk e ka përjetuar askush prej nesh, por që po e përjeton e tërë bota. Besoj ë nëse kujdesemi për njëri tjetrin, do ta kalojmë këtë sfidë dhe ndoshta e ardhmja do të jetë edhe më e mirë se e kaluara. Vetëm duhet të kemi kujdes dhe do të bëhet mirë“, ka thënë Paqarada në fund.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!