Deklaratat e Kylian Mbappes para ceremonisë së Topit të Artë, ku ai pranoi montazhet humoristike që e paraqisnin si Mao Ce Dunin, kanë shkaktuar reagime të mëdha në Kinë.

Kjo ka bërë që disa prej sponsorëve kinezë të Mbappes të tërhiqen, ndërsa transmetimi i ndeshjeve të La Ligas në këtë vend është pezulluar.

Mbappe dhe Real Madrid reaguan shpejt duke kërkuar falje, por kjo nuk ka ndihmuar në përmirësimin e situatës. Megjithatë, pas disa javësh të vështira, duket se gjërat po shkojnë drejt një zgjidhjeje.
Ambasadori kinez në Spanjë, Yao Jing, ka dhënë shenja shprese se tensionet në Kinë mund të zbuten.

Reklamë

Në një prononcim të fundit, Jing konfirmoi se Kina është në komunikim me Real Madridin dhe La Ligan lidhur me incidentin e Mbappes, ndonëse theksoi se çështja ende nuk është zgjidhur plotësisht.

“Nuk ka negociata, por ka komunikime, të bazuara në mirëkuptimin e ndërsjellë”, deklaroi diplomati për agjencinë “EFE”, transmeton “MARCA”.

Kjo vjen pasi edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte deklaruar se situata mund të qetësohet së shpejti.

Megjithatë, Jing shtoi se komentet e Mbappes kanë lënduar ndjenjat e qytetarëve kinezë dhe se mund të duhet kohë që situata të tejkalohet.

“Ky incident i pafat ka lënduar ndjenjat e shumë njerëzve në Kinë, të cilët duhet ta përpunojnë situatën aktuale”, tha ai.

Reklamë

Sa u përket Real Madridit dhe Mbappes, ata nuk kanë shumë çfarë të bëjnë në këtë pikë, pasi tashmë kanë kërkuar falje pa asnjë kusht ndaj popullit kinez.

Tashmë, u mbetet vetëm të presin dhe të shohin se si do të zhvillohet situata. Pasi emocionet në Kinë të qetësohen, përfaqësuesit e këtij vendi mund të jenë të gatshëm të rifillojnë negociatat me La Ligan dhe Real Madridin.

Deri atëherë, pasojat pritet të vazhdojnë për Real Madridin dhe La Ligan, të cilët janë përfshirë në këtë situatë për shkak të deklaratave të Mbappes.

Nga ana tjetër, francezi nuk pritet të rifitojë së shpejti simpatinë e tifozëve kinezë, një goditje kjo për të, duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që gëzonte më parë në këtë vend.

Reklamë