Milot Rashica është shëndrruar në fytyrën kryesore të tifozëve të Kosovës, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme që po bën në arenën ndërkombëtare.
Por vushtrriasi ka kaluar në disa sfida shumë të vështira deri sot, duke përfshirë edhe një lëndim të rëndë në vitin 2014, sa ishte pjesë e Llamkos Kosovës.
Rashica kishte debutuar si 16 vjeçar në fanellën e Llamkos’it, e që ishte një sezon jo me fat për të.
Ai kishte pësuar një lëndim të rëndë, i cili ka mundur fare lehtë të ndikon mjaft shumë në të ardhmen e tij.
Në takimin, Trepça 89 – Llamkos Kosova, në një duel në mes të Blerim Berishës, futbollistit të repartit defanziv të 89-shit dhe Rashicës, ky i fundit ishte lënduar mjaft rëndë.
Pikërisht Blerim Berisha në një rrëfim ekskluziv për Gazeta OLLE ka treguar situatën.
Sipas tij, në duelin që kishte me Rashicën ka qenë e gjitha spontane dhe brenda aspektit sportiv dhe se i vie keq që kjo gjë ka ndodhur.
“Nuk kam pasur kontakte me Milot Rashicën, madje nuk kemi folur as pas ndeshjes. E gjitha ka qenë spontane dhe lëndimi i tij nuk ishte i qëllimshëm”, tha fillimisht Berisha.
Tutje, Berisha ka thënë se ndihet i lumtur me sukseset që po gëzon vushtrriasi në karrierën e tij.
“Forma e tij na bën krenar çdo shqiptar, sepse po e përfaqëson edhe Superligën e Kosovës, njësoi si Rrahmani e disa të tjerë. Këta djem do të na dërgojnë në EURO2021. Ndaj Maqedonisë pres fitore sepse jemi më cilësor dhe funksionojmë më mirë si grup”, tha tutje Berisha.
Ky i fundit, ka qenë pjesë e disa skuadrave kosovare si: Trepça, Trepça 89, Drenica e Vushtrria.
Berisha ka qenë fitues i Kupës me Trepçën 89 për herë të parë në histori të klubit në vitin 2012, ndërsa ishte pjesë e rivalit tjetër lokal Trepçës, kur kjo skuadër u inkuadrua në Superligë vite më parë.
Ndërsa fati i tij i keq që e ka ndjekur në gjithë karrierën e tij ishte se nuk arriti të bëhej kampion i Superligës në asnjë rast, ndërsa ishte plot 8 herë nënkampion me skuadrat ku ka luajtur.
Kurse, Milot Rashica pas lëndimit kishte shkuar në Gjermani për shërim me ndihmën e menaxherit të tij Altin Lala, ish-futbollist i Kombëtares së Shqipërisë, ku faza e rikuperimit nga lëndimi zgjati plotë tetë muaj.
Pas shërimit nga lëndimi, Rashica ishte rikthyer në Kosovë te skuadra e Llamkos Kosovë për t’u bërë kampion i Superligës, ndërsa me 10 shkurt 2015 ai kishte arritur marrëveshje zyrtare me skuadrën holandeze Vitesse, e që karriera e tij te kjo skuadër kishte nisur me 1 korrik të atij viti.
Paraqitjet e jashtëzakonshme në elitën e futbollit holandez ia sigurojë vushtrriasit kalimin te skuadra e njohur gjermane, Werder Bremen në janarin e vitit 2018, skuadër kjo që kishte paguar 7 milionë euro për shërbimet e 23 vjeçarit.
Rashica, që nga ajo kohë është shëndrruar në yllin e kësaj skuadre si dhe në atë të Kombëtares së Kosovës, duke qenë edhe frymëzues për shumë futbollist të rinj në vendin tonë.
Kurse, kjo verë Rashicën pritet ta gjejë me me skuadër të re, këtë gjë e ka konfirmuar edhe menaxheri i tij Altin Lala.
E ëndrra më e madhe për Rashicën mund të realizohet në tetor 2020, në rast se kualifikon Kombëtaren e Kosovës në kampionatin evropian të futbollit, pasi do të luajnë në gjysmë-finale të Ligës së Kombeve ndaj Maqedonisë, e ku gjasat për një ëndërr të tillë janë të mëdha.