Këtë të mërkurë (sot) më 29 korrik do të zhvillohet finalja e madhe e DigitAlb Kupës së Kosovës në futboll për edicionin 2019/20.
Shorti i hedhur në Federatën e Futbollit e Kosovës e ka përcaktuar ekipin e Prishtinës si skuadër vendase për këtë sfidë, ndaj Ballkanit.
Arritja e Prishtinës në finale ka ardhur duke e mposhtur Drenicën në dy ndeshje gjysmëfinale, 3:0 dhe 3:2.
Ndërsa, Ballkan ka barazuar në të dy ndeshje me Feronikelin, por gol i shënuar si mysafir ka mjaftuar për të prekur finalen, sfidat janë mbyllur në Suharekë (0:0), kurse në ‘Rexhep Rexhepi’ 1:1, shkruan Gazetasheshi.com
FC Prishtina dhe Ballkani janë përballur tri herë mes vete këtë edicion në futbollin elitar kosovar, saktësisht në Superligën e Kosovës.
Në ndeshjen e parë, në Suharekë, më 7 nëntor 2019, Ballkani mposhti FC Prishtinën me rezultat minimal 1:0, derisa ndeshja mes dy skuadrave në “Fadil Vokrri” më 29 shkurt u mbyll baras 0:0.
Ndërkaq, më 18 korrik, në Suharekë, Ballkani dhe FC Prishtina sërish barazuan, por kësaj radhe me rezultat, 2:2.
Analizuar formën e dy skuadrave para kësaj finale, Ballkani duket të jetë në formë më të mirë se FC Prishtina, gjë të cilën e ka treguar në pesë ndeshjet e fundit, ku nuk e ka asnjë humbje. Saktësisht, skuadra e Ismet Munishit ka regjistruar tri fitore dhe dy barazime në pesë ndeshjet e fundit.
Ndërkaq, FC Prishtina e ka vetëm një fitore. Djelmoshat e Armend Dallkut në pesë ndeshjet e fundit e kanë vetëm një fitore, dy humbje dhe dy barazime.
Për Prishtinën kjo do të jetë finalja e 10-të jubilare, teksa e kërkon trofeun e 7-të dhe pjesëmarrjen e 4-të në Evropë.
Ndërkohë, Ballkani ndodhet për herë të parë në finale dhe synon që ta fitojë atë dhe të luaj në Evropë.
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit nis nga ora 17:45 dhe do të zhvillohet pa prezencën e tifozëve.