Milot Rashica ka vazhduar me formën fantastike në Gjermani dhe shpreson që të vazhdojnë të fitojnë për të arritur objektivin, që është pjesëmarrja në Europa League në sezonin 2019/20.
Talenti vushtrrias, Milot Rashica, e ka ndihmuar me gol dhe asist Werder Bremenin për të arritur fitore 3-1 ndaj Mainz mbrëmë.
Kjo fitore ka bërë që Werderi të pushtojë pozitën e gjashtë në renditjen e Bundesligas, pozitë kjo që dërgon në Europa League, që është edhe objektivi i klubit gjerman.
Ai ka shënuar nëntë gola në total këtë edicion me Werderin, derisa ka dhuruar edhe dy asiste.
“Ishte e rëndësishme të shënonim golin e parë herët. Pas kësaj, ne kishim gjithçka nën kontroll”, u shpreh ai.
“Mendoj se në fillim të pjesës së dytë, nuk ishim agresiv aq sa duhet, por u kthyem dhe bëmë diferencën me golin e tretë”.
Rashica foli edhe për pozitën në tabelë dhe objektivin e Werderit, që është pjesëmarrja në Europa League.
Pas Werderit, që ka grumbulluar 42 pikë – renditen Wolfsburg dhe Leverkusen me nga 42 pikë gjithashtu, kurse në pozitën e nëntë është Hoffenheim me 41 pikë – pra do të jetë luftë e madhe për një vend që dërgon në Europa League.
“Duam të fitojmë çdo ndeshje, më pas do të shohim se ku do të renditemi. Çdo pikë vlen diçka sepse po bëhet luftë e madhe”, shtoi Miloti.
Pas fitores 4:2 në fillim të muajit mars, ku Milot Rashica realizoi dy gola, Werderi do të ketë sërish punë me Schalken, kësaj radhe në kuadër të Kupës së Gjermanisë.
Skuadrat do të përballen të mërkurën dhe sulmuesi i Kosovës e di se s’do ta kenë aspak të lehtë.
“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë sepse do të luajmë në Schalke dhe Kupa është gjithmonë ndryshe me Ligën. Por, pa marrë parasysh çfarë, ne duam të shkojmë para”, theksoi mes tjerash Rashica.