Kosova në qershor do të përballet me Malin e Zi dhe Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, derisa për këto dy takime trajneri Berndard Challandes e ka ftuar Anel Rashkajn.
Aneli ka folur pasi ka pranuar ftesën dhe se është i lumtur me rikthimin në Kombëtare.
“Së pari jam munduar që unë ta kryejë punën time, pastaj janë të tjerët që vlerësojnë dhe vendosin,” ka thënë Rashkaj.
“Jam shumë lumtur dhe këtë mendoj se nuk duhet ta komentoj pasi secili futbollist e ka ëndërr ta përfaqësojë shtetin e vetë”, ka deklaruar Rashkaj për Periskopi.
Tutje djaloshi nga Prizreni që aktualisht është futbollist i AFC Eskilutans në Suedi ka folur edhe për dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë ku beson se do të mund të nxjerrin rezultate pozitive.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë në kualifikime, por nëse ekipi luan në nivelin që është tani, atëherë besoj në rezultatet pozitive.
Rashkaj thotë se Kombëtarja e Kosovës ka kualitet të madh dhe se kualifikimi në EURO 2020 është i mundur, por se nuk duhet që të ketë presion të madh nga jashtë.
“Po mendoj se kemi mjaft kualitet, por nuk duhet të ketë presion të madh nga jashtë, pasi kjo mund të ndikojë negativisht,” përfundoi 29 vjeçari nga Prizreni.
Rashkaj në të kaluarën ka qenë kapiten i Kosovës, derisa hera e fundit kur ai ishte grumbulluar me Kombëtaren ishte në vitin 2017 në kohën e Albert Bunjakit, i cili e vlerëson shumë Anelin për karakterin që ka.
“Aneli është shumë lojtar i veçantë dhe shembull për të gjithë. Ka ardhur të përfaqësoj Kosovën në kohën më të vështirë kur nuk kishte as trak të kapitenit,” kishte thënë Bunjaki muaj më parë.
“Por, si kapiten i vërtetë i kombëtares time, asnjëherë në asnjë moment nuk ka lejuar që egozimii tij të jetë më i madh se vet vendi ku është lind dhe është rrit.
“Aneli është kapiteni im,” shtoi Bunjaki.
Madje ish-trajneri i Kombëtares ka thënë se po të ishin vetëm gjysma e lojtarëve të Kosovës me karakterë të Rashkajt, ndryshe do të ishin punët.
Rashkaj i kishte kërkuar vetë Bunjakit që të mos e ftonte atë nëse nuk e meriton, pasi për të më e rëndësishme ishte Kombëtarja e Kosovës.