Reagimi qesharak i futbollistit pasi Messi ia fut topin mes këmbëve

Oscar Plano i Real Valladolidit iu bashkua listës së gjatë të viktimave të Lionel Messit të martën në mrëmje. Reagimi i tij ka bërë që videoja e atij momenti të shpërndahet edhe më shumë nëpër rrjetet sociale.


Komentatori Ray Hudson kishte thënë: “Nëse Messi do të ishte kapiteni i Titanikut, ai do t’ia kishte futur mes këmbëve topin ajsbergut” dhe argjentinasi ua rikujtoi këtë thënie edhe një herë tifozëve mbrëmë kundër Real Valladolidit, transmeton Gazeta Express.

Përveç dy golave dhe dy asisteve në fitoren e thellë të Barcelonës, me rezultat 5:1, kundër Real Valladolidit, pesë-herë fituesi i Topit të Artë u bë viral në rrjete sociale edhe për mënyrën se si e turpëroi Planon në minutën e 36-të të ndeshjes.

“Messi ia mori shpirtin me atë trik”, shkroi @PFoootball.

Kapiteni i Barcelonës Messi e asistoi golin e Arturo Vidalit me një pasim të shkëlqyeshëm para se ta shënonte në mënyrë të jashtëzakonshme një gjuajtje të lirë – të 50-tën për të në karrierë me Barcelonën dhe Argjentinën – para se të përfundonte pjesa e parë në Camp Nou.

Messi e shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes pas pjesës së parë dhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë pati rol vendimtar edhe në golin e Luis Suarezit. Me anë të ndihmës së argjentinasit, Barcelona u ngrit mbi Granadan dhe Atletico Madridin në tabelës e ligës elitare të futbollit spanjoll.

Barcelona është dy pikë përpara Granadas dhe Atletico Madridit, mirëpo Barcelona dhe Real Madridi e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar, për shkak se El Clasico që ishte dashur të zhvillohej në xhiron e kaluar është shtyrë për 18 dhjetor.