Federata e Shenjëtarisë e Kosovës ka reaguar pas publikimit të rrëfimit të shenjëtarit Drilon Ibrahimi i cili e përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike.
Ibrahimit që është edhe shitës ambulant ishte ankuar në një rrëfim në Reporteri.net se nuk ka rrobat e duhura dhe i ka të shqyera për përfaqësimin e Kosovës në Tokio.
Ata madje kanë dhënë shumën e parave me të cilën e kanë ndihmuar shenjëtarin Ibrahimi.
Reagimi i plotë i Federatës:
Dje, më 15/07/2021 (e enjte), në portalin REPORTERI.net është paraqitur një artikull me titull: Shitësi ambulant përfaqëson Kosovën në Olimpiadën e Tokios me këpucë të vogla, tesha të grisura e pushkë të vjetër
Ky artikull është i njëanshëm, tërësisht tendencioz dhe nuk pasqyron fare realitetin.
Të shtyrë nga reagimet e shumta nga sportdashësit, me qëllim të pasqyrimit të angazhimit të trajnerëve, administratës së FSHSK-së dhe garuesve që kanë ndihmuar Drilonin në rrugëtimin e tij, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik të Kosovës në përgjithësi dhe me qëllim të pasqyrimit të drejtë të angazhimit të Komunitetit Olimpik të Kosovës (KOK), që nga Klubi “Polici”, Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës (FSHSK), e deri tek Komiteti Olimpik i Kosovës, jemi të detyruar të botojmë këtë reagim.
Në s’përputhje të plotë me rregullat themelore të gazetarisë, askush nga portali në fjalë, nuk ka kontaktuar FSHSK-në për të plotësuar tregimin dhe për t’u mundësuar lexuesve të vetë pasqyrën e plotë të njërit prej 11 përfaqësuesve të Kosovës, në Lojërat Olimpike Verore, në Tokio. Ky portal, sikur edhe shumica e mjeteve të informimit, asnjëherë nuk janë interesuar për të parë kushtet në të cilat zhvillohet shenjëtaria sportive në Kosovë. Përndryshe, do të kishin parë përparimin që është bërë në 5 vitet e fundit, e sidomos që nga viti 2019.
Në vend të kësaj, artikulli, në mënyrë tendencioze mundohet të përbuzë gjithë këtë angazhim dhe paraqet gjendjen e shtrembëruar të sportistit Drilon Ibrahimi, për arsye të cilat mbeten të vërtetohen në një procedurë të veçantë, të cilën FSHSK do të ndjek për këtë qëllim.
Drilon Ibrahimi dhe Urata Rama-Gagica, janë bursistë olimpik, të cilët Komiteti Olimpik, Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës, klubet e tyre përkatëse dhe i gjithë komuniteti i shenjëtarisë sportive të Kosovës, i ka mbështetur dhe përkrahur tash e 5 vite (që nga fillimi i ciklit olimpik, në vitin 2016). Përveç tyre, me propozim të FSHSK-së, KOK-u përkrah rregullisht edhe garues të tjerë, në kategorinë e SHPRESAVE OLIMPIKE.
Pas një periudhe të ristrukturimit, FSHSK ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Shenjëtarisë Sportive. Vendosja e garuesve në plan të parë, përbënë shtyllën kryesore të kësaj Strategjie. Për këtë arsye, që nga viti 2017, pjesa më e madhe e buxhetit të Federatës, është dedikuar në zhvillimin e kapaciteteve teknike, për t’u ofruar sportistëve mundësi për zhvillim profesional. Falë kësaj, shenjëtarët tanë, sot stërvitjet i zhvillojnë në kushte të nivelit botëror, me ndihmën e trajnerëve cilësor me licencë ndërkombëtare.
Për më tepër, duke iu falënderuar mbështetjes nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e në zbatim të Strategjisë së përmendur, FSHSK ka arritur që çdo vit, të dërgojë 2 deri 4 garues në së paku një garë ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së Rezultatit Minimal Kualifikues për Lojërat Olimpike Verore 2020. Në Kampionatin Evropian të vitit 2019. Drilon Ibrahimi ka arritur këtë nivel dhe duke iu falënderuar kësaj, me kërkesë të FSHSK-së dhe KOK-ut më 27/05/2021. , atij i është dërguar ftesa për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Verore “Tokyo 2020”.
Tash gati katër vite, Driloni është mbështetur me nga 150 USD nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe me 100 EUR nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Këto mjete, i janë dhënë Drilonit pikërisht për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve të tij si shenjëtar sportiv. Kjo nënkupton edhe kujdesin për uniformën dhe pushkën. Për më tepër, as KOK, as FSHSK, Drilonit (sikur edhe sportistëve tjerë, që janë përfitues të mbështetjes nga KOK) nuk i kanë imponuar mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve, duke besuar që askush më mirë se ata vetë, nuk do të jenë në gjendje të përmbushin nevojat e tyre. Pra, nëse Driloni nuk ka investuar në blerjen e uniformës së re, përpara arritjes së ftesës nga KON – ky ka qenë vendim i tij.
Në fakt, kur Driloni ka paraqitur shqetësimet e para lidhur me uniformën, Kryetari i Klubit të Shenjëtarisë Sportive “Polici”, z. Haki Berisha, me mbi 1000 EURO nga fondi i mbështetjes financiare, të pranuar nga Komuna e Prishtinës, menjëherë ia ka porositur uniformën e re, sipas dimensioneve të dhëna nga vet Driloni. Fatkeqësisht, këto matje kanë dalë të mos jenë të sakta dhe uniforma e re, nga prodhuesi i mirënjohur gjerman Gehmann, ka qenë tepër e madhe për të.
Pas pranimit të ftesës nga Komisioni Trepalësh, e me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për LOV Tokyo 2020, sipas udhëzimit nga Kryetari, Sekretari i FSHSK-së është angazhuar që të bëjë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që Drilonit t’i sigurohet uniforma më e mirë. Për këtë arsye, sipas përzgjedhjes së vetë Drilonit, është kontaktuar prodhuesi Capapie nga India. Pas dhjetëra emailave të shkëmbyer me prodhuesin dhe me distributorin e tyre për Ballkan, me qëllim të marrjes së përmasave të sakta, Sekretari ka arritur të sigurohet që uniforma të prodhohet, sipas përmasave reale të Drilonit dhe nga India, të niset për Kosovë. Kjo uniformë, ka arritur në Prishtinë sot ne mengjes (e premte, 16/07/2021), rreth ores 03:00 . Kjo uniformë, është mbështetje e FSHSK-së për pjesëmarrjen e Drilonit në LOV Tokyo 2020 dhe ka kushtuar mbi 1.500 EURO.
Uniforma dhe këpucët të cilat i paraqet portali REPORTERI.net në fakt, nuk janë të Drilonit. Këtë veshmbathje Driloni, e ka huazuar nga një garues tjetër, për të parë ndikimin që do të ketë ndryshimi i uniformës në rezultatin e tij. Është tërësisht e pahijshme që vullneti i mirë i një garuesi tjetër, të keqpërdoret në mënyrë kaq të ulët.
E njëjta gjë është e vërtetë edhe për pushkën e Drilonit. Është botërisht e njohur që garuesit “lidhen” me armën e tyre dhe e njëjta vlen edhe për Drilonin. Me kalimin e kohës, garuesit e modifikojnë armën e tyre, qoftë duke shtuar pesha, duke bër ndryshime në shënjestra, duke bërë zgjatjen/shkurtimin e qytës, etj. Falë mbështetjes së parezervë nga i gjithë komuniteti i shenjëtarisë sportive në Kosovë, Driloni ka qenë në gjendje të bëjë modifikime të armës së tij aty-për-aty, pa pasur nevojë për të bërë porosi të pjesëve, ardhja e të cilave do të ishte e pamundur brenda kohës që Driloni ka në dispozicion para nisjes për Tokio. Paraqitja e mbështetjes që i është dhënë Drilonit, si diçka e ulët dhe përbuzëse, është përbuzëse për vetë portalin dhe gazetarin, i cili nuk ka marrë as mundimin më të vogël për të biseduar me askënd për të marr pasqyrën e duhur të gjendjes.
Me kërkesë të FSHSK-së, KOK-u ka përkrahur përparimin e bursistëve olimpik edhe përmes projekteve të veçantë. Vetëm gjatë vitit 2021, KOK-u ka mbështetur ecurinë e Drilonit dhe Uratës me 4.440 EURO, ndersa FSHSK me 1660 EURO, me qëllim të realizimit të stërvitjeve intensive, në tri periudha të ndara (të ashtuquajtur “kampingje”).
Përveç kësaj, me synim të arritjes së normës olimpike, KOK-u ka mbështetur pjesëmarrjen e Drilonit dhe Uratës edhe në Kampionatin Evropian, në Osijek të Kroacisë, që është mbajtur në muajin maj të këtij viti, në shumë prej 2660 EURO.
Kampingjet janë mbajtur nën përkujdesjen e vazhdueshme të trajneres ndërkombëtare znj. Lumturie Pepa, në kohëzgjatje prej 10 ditë në mars (17/03 deri 26/03), 20 ditë në maj (01/05 deri 20/05) dhe 14 ditë në korrik (nga 05/07 deri 18/07). Këto stërvitje intensive kanë pasur ndikim tejet pozitiv në rezultatet e garuesve.
Në garën Kupa “Shaip Zeneli” të mbajtur përpara fillimit të kampingut të parë, Driloni ka arritur rezultatin prej 587.1 rrathë, kurse në garën Kupa “Tahir Çitaku” të mbajtur pas kampingut të parë, ka arritur rezultatin 598.6 rrathë.
Pas kampingut të dytë, në garën “Feniks”, Driloni ka arritur rezultatin 607.1 rrathë.
Përkushtimi i komunitetit sportiv në mbështetje të Drilonit është shtuar edhe më tutje. Gjatë kampingut të tretë, profesori Enver Tahirja në baza vullentare është vënë në dispozicion të Drilonit duke i ndihmuar atij për të përvetësuar teknikat e vetë-meditimit dhe ushtrimeve për relaksim të muskujve para garës/stërvitjes. Gjatë kësaj periudhe, FSHSK ka siguruar edhe sensorin optik, për të ndihmuar Drilonin në kontrollin e lëvizjeve të pushkës, pajisje të cilën e kanë në dispozicion edhe garuesit më të mirë botëror.
Të gjitha këto, kanë ndihmuar për një ngritje të dukshme të rezultatit të Drilonit. Ai tani ka arritur rezultatin 615.6 rrathë.
Këto rezultate janë arritur duke iu falënderuar punës dhe angazhimit të palodhshëm të gjithë komunitetit të shenjëtarisë sportive të Kosovës të organizuar në kuadër të Federatës së Shenjëtarisë Sportive të Kosovës, me mbështetje të KOK-ut, MKRS-së, e Komunës së Prishtinës.
Pa llogaritur shpenzimet e Poligonit të FSHSK-së në Pallatin e Rinisë, shpenzimet e pakufizuara të diabollave, dhe shpenzimet e tjera të ndërlidhura, vetëm gjatë vitit 2021, Driloni është mbështetur nga komuniteti olimpik i Kosovës me mbi 6.000 EURO, kurse gjatë tërë ciklit olimpik, është mbështetur me mbi 15.000 EURO.
Prandaj, shtrembërimi i këtillë i realitetit nga ana e portalit REPORTERI.net, nuk i bënë nder askujt e sidomos jo gazetarit dhe portalit të cilët e kanë botuar atë. Megjithatë, kjo sjellje duhet t’u shërbej edhe autoriteteve për një qasje të re ndaj mediave në përgjithësi dhe mediave digjitale në veçanti, me qëllim të ruajtjes së dinjitetit sportiv dhe respektimit të angazhimit të përgjithshëm shoqëror drejt kushteve më të mira për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Driton Sejdiu
Sekretar