Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, e ka lënë kampin e ekipit kombëtar për t’u kthyer te klubi i vet Napoli, pasi nuk ia ka dalë të riaftësohet për nga lëndimi, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.
Rrahmani e pësoi një dëmtim në kofshe me skuadrën e vet në Serie A para rreth dy javëve dhe nuk u paraqit me Napolin në dy ndeshjet e saj të fundit që prej atëherë.
Megjithëse i dëmtuar, ai udhëtoi drejt Prishtinës të hënën dhe iu bashkua ekipit kombëtar me shpresë se do të riaftësohej deri të dielën në 28 mars, kur Kosova e nis fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në ndeshjen hapëse kundër Suedisë në Prishtinë.
Por duket se prishtinasi s’ia ka dalë dhe FFK-ja njofton se ai do të kthehet në Itali.
“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është larguar nga kampi i Dardanëve, në pamundësi për të kontribuuar në tri ndeshjet e këtij muaji për shkak të lëndimit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
“Përkundër vullnetit dhe dëshirës së madhe që të riaftësohet për lojë, një gjë e tillë ishte e pamundur, prandaj Rrahmani do të kthehet në klubin e tij, Napoli, për të vazhduar me sanimin e lëndimit.”
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.