Ramiz Brahimaj duhet falur nëse ai është pak skeptik që lufta e tij me Max Griffinin këtë fundjavë do të ndodhë vërtet.
Brahimaj mund të ketë dyshime deri në momentin kur veterani me bazë në NorCal do të qëndrojë përballë tij brenda oktagonit dhe gjyqtari i caktuar për të mbikëqyrur meçin e kategorisë uelter t’i urdhërojë ata që të luftojnë.
“Derisa të shoh referin dhe të shoh kundërshtarin tim që qëndron në kafaz përballë meje, unë do të jem ende në një mosbesim të vogël se kjo në të vërtetë do të ndodhë”, thotë Brahimaj duke qeshur. Ai ka bilanc 8-2 në MMA (Artet Marciale të Përziera) kurse bën debutimin e tij në UFC të shtunën mbrëma në Las Vegas. UFC është seria kryesore e MMA.
Brahimaj mund të bëjë shaka për këtë tani, por në kohën që do të zhvillohet lufta, ai do të ketë më shumë se 500 ditë të kaluara me emocione, dhimbje zemre, pasiguri e zhgënjim.
Fillimisht ai është dashur të përballej me Miguel Baezan në luftën shumë të pritur midis luftëtarëve perspektivë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak se derisa po përfundonte kontrollimet mjekësore, stafi mjekësor i UFC-s e njoftoi Brahimajn se kishte nevojë për të vizituar një neurolog.
“Kam zbuluar rreth një javë e gjysmë para ngjarjes kryesore që kisha një tumor në sy dhe se nëse do të më ishte këputur, unë do të isha verbëruar plotësisht në syrin tim të majtë”, tha Brahimaj, i cili u operua për të hequr tumorin.
Produkti i “Fortis MMA” përfundimisht mori lejen mjekësore për t’u kthyer në stërvitje dhe nënshkroi një marrëveshje për të konkurruar në UFC, duke vendosur firmën në një kontratë për t’u përballur me Takashi Saton më 27 qershor në Las Vegas. Më pak se 24 orë para se të shkonte në peshore për të bërë debutimin e tij në UFC, Brahimaj u informua se po tërhiqej nga ndeshja e tij me Saton pasi një person nga stafi i tij rezultoi pozitiv për COVID-19.
“Kur lufta me Takashi Saton dështoi, unë isha i thyer, sepse me padurim prisja debutimin në UFC. Do të ishte një luftë e fortë”, thotë Brahimaj. “Nuk mund të besoja se po më ndodh një gjë e tillë. Unë thjesht doja të luftoja dhe të vazhdoja jetën time. Për disa ditë e kisha të vështirë të ngrihem nga shtrati për të gjetur motivimin, sepse edhe unë jam qenie njerëzore dhe kam ndjenja. Megjithatë, gjeta forcën të ngrihem, edhe pse nuk e dija se çfarë do të ndodhte”.
Ai motivimin e gjeti te familja e tij shqiptaro-amerikane – me prindërit dhe anëtarët tjerë që e rritën për të qenë këmbëngulës në kohë të vështira, pa marrë parasysh pengesat. Familja e Brahimajt është nga Kosova, një rajon i shkatërruar nga lufta. Ai është i lindur dhe i rritur në Bronx.
“Unë ende mbaj mend minjtë dhe insektet që i shihnim në të gjithë banesën tonë”, e kujton Brahimaj kohën kur me 15 anëtarë të familjes së tij banonin në një apartament me një dhomë gjumi.
“Unë ende mbaj mend hallat e mia që flinin natën në vaskë, sepse nuk kishte vende të mjaftueshme për të fjetur në apartament”, tregon Brahimaj, babai kokëfortë i të cilit ishte i vendosur të bënte gjithçka që duhej për t’u siguruar që familja e tij të mos mbetej nën kufirin e varfërisë për pjesën tjetër të jetës. “Këto sprova që duhej të kalonte familja ime jo vetëm që bënë lidhjen më të fortë, por më treguan se pa marrë parasysh vështirësive në jetë, duhet të reagosh. Po të mos lëvizte babai im, unë jam i sigurt që ne ende do të ishim në Bronx, por ne ishim familje që nuk dorëzohej”.
Ai gjithashtu u bë edhe më i fortë teksa stërvitej me trajnerët e ekipit “Fortis MMA”, të cilët e ndihmuan të ngrihej dhe të bënte ëndrrën realitet – promovimin dhe debutimin në UFC.
“Ishte një ndihmë e madhe nga klubi që më tregoi se si duhet të tejkalohen vështirësitë. Kështu që rruga ime deri në UFC nuk ishte e lehtë, por me shumë pengesa dhe beteja të vështira në një formë ose tjetrën”, insiston Brahimaj.
Ndërsa reflektonte për gjithçka që kishte kaluar, duhej të tejkalonte edhe situatën e krijuar me pandeminë e koronavirusit, që e la atë të kërkonte mënyra se si të stërvitej për shkak se palestrat ishin të mbyllura. Në vend që të ulej në shtëpi dhe të lejonte që ankthi dhe zhgënjimi ta kaplonin, Brahimaj zuri një punë me kohë të pjesshme në rrjetin e dyqaneve “Costco” vetëm që të kishte një arsye për të dalë nga shtëpia. Ai gjithashtu u përqendrua në zanatin e tij, duke hyrë nëpër disa turne të vegjël, që do t’i ndihmonin të mbante formën. Kohët e fundit Brahimaj është zhvendosur në Las Vegas me grupin e tij për të përfunduar përgatitjet përpara se të garonte brenda kafazit të turneut “UFC Apex”.
“Mezi pres të nuhas dorezat e mia. Mezi pres të marr kompletin tim të luftës dhe të bëj të pamundurën për fitore, që do të jetë si një dhuratë e hershme e ditëlindjes”, tha Brahimaj, 28-vjetori i të cilit është dhjetë ditë pas luftës me Griffinin. “Unë thjesht dua ta shijoj këtë moment”.
Brahimaj insiston se është plotësisht i gatshëm për të startuar fuqishëm, me fitore, 501 ditë më vonë se që supozohej të futej në të njëjtin kafaz për të luftuar kundër Miguel Baezas.
“Unë kam qenë duke e pritur këtë moment gjatë gjithë kohës sa isha në kamp stërvitor. Unë jam i bindur se pavarësisht kundërshtarit që do ta kem përballë, do të luftoj fort dhe nuk do të dorëzohem. Por, do të përpiqem që emocionet mos t’i shpreh gjatë luftës por pas saj. Do të përpiqem të jem i fortë për familjen time, por nuk mund të bëj asnjë premtim tjetër”, tha ai.