×
  • Sport
  • -->
    Sport

    Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e radhës të Kosovës, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën “VIP”

    Reporteri
    07 Qershor 2022 | 22:45

    Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i stërmbushur edhe për ndeshjen mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut.

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje, me përjashtim të disave në zonën “VIP”.

    Biletat për ndeshjen e radhës së “Dardanëve” filluan të shiten të hënën.

    Ndeshja mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut do të zhvillohet të enjten nga ora 20:45.

    I pari i FFK-së përmes një postimi në faqen e tij zyrtare ka falënderuar të gjithë për përkrahjen ndaj Kombëtares.

    “Të dashur qytetarë, të dashur tifozë dardanë,

    Shfrytëzoj rastin që të ju falënderoj të gjithëve për interesimin e jashtëzakonshëm për t’i qëndruar përkrahë Kombëtares së Kosovës.

    Përkundër se në ndeshjen e kaluar u dëshpëruam me humbjen nga Greqia, ju dëshmuat se dini të vlerësoni djersën e djemve tanë, dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të dhënë më të mirën në fanellën e shenjtë të Kosovës.

    Futbolli është përplot emocion dhe i ka të tri rezultatet. Nganjëherë nuk e arrin dot objektivin gjatë 90 minutave lojë, por dëshira, vullneti dhe emocioni që na dhuron Kombëtarja jonë janë të jashtëzakonshme dhe ju dini t’i çmoni e vlerësoni ato.

    Mbështetja madhështore që i ofruat Dardanëve në ndeshjen me Greqinë, por edhe tani për ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut, ku sërish stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë përplot dhe do të jehojë me ‘Besa-Besë’, meriton mirënjohje dhe respekt.

    Të gjitha biletat e kësaj ndeshje tashmë janë shitur, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën VIP, e të cilat të interesuarit ende mund t’i sigurojnë përmes platformës online.

    Në këtë formë ju e vërtetuat se Kombëtarja e Kosovës është dashuri e përjetshme dhe vlerë shtetërore, të cilën duhet ta ruajmë e respektojmë në fitore, barazime e humbje.

    Ne jemi të vetëdijshëm se kapaciteti aktual i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk i përmbush kërkesat për numrin e madh të të interesuarve, prandaj ndjejmë keqardhje që shumë qytetarë janë të shtrënguar që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet ekraneve televizive.

    Mirëpo, po punojmë së bashku me Komunën e Prishtinës, që së shpejti ta fillojmë projektin e zgjerimit të tribunës lindore, e cila do të na mundësojë që të kemi numër më të madh të tifozëve në stadium.

    Faleminderit për mbështetjen e madhe!

    Ju ftoj që bashku t’i përkrahim djemtë tanë fuqishëm për t’u rikthyer te fitorja!

    Forca Kosovë!

    Përpara Dardanë!”, ka shkruar Ademi./express

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!