×
  • Sport
  • Sport

    “Shko në Shqipëri dhe mposhti ata” – Vuçiq me “urdhër” për selektorin e Serbisë

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 10:57

    Pak ditë pasi mori pjesë në samitin e Tiranës, ku u ul në tryezë me liderët e Evropës dhe u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, zgjodhi një tjetër skenë për t’i dhënë një “urdhër” simbolik trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, që ta mundë Shqipërinë në ndeshjen e 7 qershorit, duke treguar se pas buzëqeshjeve diplomatike, rivaliteti i vjetër jeton ende në fushë.

    Në një tubim të partisë (SNS), Vuçiq falënderoi publikisht trajnerin e kombëtares serbe të futbollit, Stojkoviç, për mbështetjen e tij të hapur politike.

    Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një deklaratë me tone të ashpra sportive, që në thelb mbante një ngarkesë politike:

    “E pashë pak më parë dhe tani e shoh që është këtu, ju lutem duartrokitni fort trajnerin serb Dragan Stojkoviç, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata”, tha Vuçiq nga skena, me një mesazh që i ngjante më shumë një urdhri sesa një urimi.

    Gjatë asaj kohe, Stojkoviç i buzëqeshi dhe përtypi çamçakëz, ndërsa kamerat ishin të drejtuara nga ai. Deklarata e presidentit vjen pikërisht në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më 7 qershor, një përballje gjithmonë e ndjeshme për shkak të historisë së tensionuar mes dy vendeve.

    Në këtë sfond, deklarata e Vuçiq bën kontrast të fortë me tonin e matur që e shoqëroi gjatë samitit të Tiranës. Duket se diplomacia e buzëqeshjeve nuk e zëvendëson dot plotësisht gjuhën e vjetër të rivalitetit, sidomos kur hyn në lojë sporti, një arenë ku emocionet kombëtare shfrytëzohen shpesh si mjet për përforcim të mesazheve politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!