Me këto rezultate mund të kualifikohet Kosova në “Euro 2020”

Fitorja befasuese e Republikës Çeke kundër Anglisë këtë muaj ia vështirësoi Kosovës kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian. Megjithatë “Dardanët” ende mund të shpresojnë për një vend në EURO 2020, falë edhe fitores së mbrëmshme kundër Malit të Zi.


Pas fitores së mbrëmshme me rezultat 2:0 në “Fadil Vokrri” kundër Malit të Zi, Kosova radhitet e treta në Grupin A, me 11 pikë – një më se Republika Çeke dhe katër më pak sesa Anglia, raporton Express.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

Si qëndron situata për Kombëtaret e tjera në Grupin A?

– Anglia do të kualifikohet me barazim kundër Malit të Zi, ose nëse Kosova humb kundër Çekisë; e ka një vend të garantuar në play-offs nëse është e nevojshme, si fitues i Grupit A4 të Ligës së Kombeve.

– Republika Çeke do të kualifikohet nëse fiton kundër Kosovës.

– Mali i Zi nuk mund të kualifikohet më në Kampionatin Evropian.

-Bullgaria nuk mund të kualifikohet më në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve; për momentin e ka një vend në play-offs kualifikues.