×
  • Sport
  • -->
    Sport

    Sot 7 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA, ky është mesazhi i presidentit të FFK-së

    Reporteri
    13 Maj 2023 | 9:38

    Para 7 vitesh, Kosova është bërë anëtarja e 210-të e FIFA-s. Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë 141 vota për anëtarësim, nga 164 votat valide në Kongresin e 66-të të FIFA-s, që është mbajtur në Mexico City.

    Në 7-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA, presidenti i FFK-së, Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka falënderuar të gjithë kontribuuesit e këtij rrugëtimi, derisa ka vlerësuar përparimin e bërë në të gjitha drejtimet që nga viti 2016.

    Mesazhi i plotë i Ademit:

    Sot shënojmë një tjetër datë të rëndësishme në historinë e re të futbollit të Kosovës. 7 vjet më parë, më 13 maj, Federata e Futbollit e Kosovës, u bë anëtare e familjes së madhe të futbollit – FIFA. Kjo ndodhi vetëm 10 ditë pas anëtarësimit në UEFA dhe kësisoj futbollit të Kosovës iu hapën të gjitha dyert e përfaqësimit në skenën ndërkombëtare.

    Anëtarësimi në UEFA e FIFA shënoi një kapitull të ri dhe historik për futbollin e Kosovës, pasi u kurorëzua sakrifica dhe puna e palodhshme e shumë gjeneratave.

    Gjatë këtyre shtatë viteve, futbolli ynë ka shënuar hapa të mëdhenj përpara në të gjitha fushat. Investuam në përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke ndërtuar fusha stërvitore e duke krijuar kushte të volitshme për lojë në stadiumet ku klubet e zhvillojnë aktivitetin e tyre.

    Vëmendje të madhe i kushtuam edhe edukimit të kuadrove të reja në të gjitha segmentet si dhe krijimit të mundësive e hapësirave për gjithëpërshirje në futboll.

    Gjatë këtij rrugëtimi krijuam raporte të shkëlqyeshme me FIFA-në e UEFA-në, teksa vizita e presidentit Gianni Infantino, në vitin e kaluar dëshmoi respektin dhe rëndësinë që i japin këto dy institucione vendit tonë.

    Në kuadër të programit të FIFA-së “Forward” kemi investuar në projekte të ndryshme, derisa në partneritet me FIFA-në e UEFA-në dhe institucionet tona shtetërore synojmë të krijojmë kushte sa më moderne për komunitetin e futbollit në çdo cep të vendit.

    Në këtë ditë të rëndësishme për FFK-në dhe gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që kanë kontribuuar në rrugëtimin e futbollit të Kosovës që nga viti 1991 e deri më sot, nën udhëheqjen e kryetarëve Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani e Fadil Vokrri.

    Së bashku do të vazhdojmë të ndjekim pasionin për futbollin dhe do të punojmë me përkushtim për ta çuar futbollin tonë në nivel edhe më të lartë.

    Urime e na priftë e mbara në objektivat që i kemi para vetes!

    Bashkë për futbollin!
    Me Kosovën në Evropian!

    Me respekt,
    Agim Ademi, president i FFK-së

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!