Studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit (FEFS) të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të kenë një vend të ri për të ushtruar sportin e beach volleyball-it, falë fushës së re të përuruar sot në kampusin e UP-së.
Për ndërtimin e kësaj fushe, dekani i këtij fakulteti, prof. asoc. dr. Musa Selimi, falënderoi UP-në.
“Për inagurimin e fushës së re të volejbollit, të cilën po e përurojmë sot për herë të parë, e falënderojmë Universitetin e Prishtinës dhe rektorin prof. dr. Marjan Dema, që bëri të mundur që kjo fushë të ndërtohet në kampusin tonë”, tha Selimi.
Studentët ndjehen të lumtur që tashmë kanë një fushë të tillë, ku do të mund të mund të praktikojnë këtë sport.
Xhudjen Kruti, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Edukimit dhe Sportit, thotë se është e lumtur që është ndërtuar kjo fushë.
“Duke pasur parasysh që unë tash e 12 vite luaj beach volleyball, kjo fushë është gjëja më e mirë që ka bërë universiteti, pasi që nuk ka një të tillë në Prishtinë”, tregoi Xhudjena.
Në ceremoninë e organizuar nga UP dhe Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, përveç përurimit, nisi edhe gara në beach volejboll, e cila do të zgjasë dy ditë radhazi.
Për kontributin e tyre në seminarin vullnetar, studentët e këtij fakulteti u shpërblyen me certifikata.Fusha e re do të jetë e hapur për të gjithë studentët e UP-së./Reporteri.net/