×
  • Sport
  • Sport

    Superliga e Kosovës preket nga Koronavirusi: Një pjesëtar i Vushtrrisë del pozitiv

    Reporteri
    10 Korrik 2020 | 10:33

    Klubi i Vushtrrisë është goditur rëndë pas pranimit të rezultateve për dy pjesëtarët e klubit, pasi në grupin e tyre është një rast me koronavirus.


    Në orët e vona së mërkurës kanë pranuar rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke u njoftuar se një pjesëtar i klubit ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

    Insporti mëson ekskluzivisht se i infektuar me koronavirus ka rezultuar mirëmbajtësi i fushës së KF Vushtrrisë.Këtë e ka konfirmuar për gazetën presidenti i klubit, Bajrush Kajtazi.

    “Mirëmbajtësi ka rezultuar pozitiv, ndërsa kapiteni Etrit Halimi negativ. Megjithatë stafi dhe futbollistët e disa zyrtarë kanë pasur kontakt me të infektuarin, jemi të shqetësuar. Ai (mirëmbajtësi) tashmë është në vetizolim, por mund të them se jemi të stresuar për gjendjen e tij dhe fatin tonë”.

    Të martën është raportuar se në kampin e klubit vushtrrias ka dyshime të mëdha se dy pjesëtarë janë infektuar, madje njëri në gjendje të rëndë.Vushtrria të enjten (dje) zhvilloi ndeshjen me Trepçën ‘89 në kuadër të Superligës dhe mundësia e shpërndarjes së virusit është shumë e madhe.

    Dyshimet se janë infektuar me koronavirus ishin pas ndeshjes me Flamurtarin. Pas kësaj ndeshjes Halimit i janë shfaqur simptomat e po ashtu edhe mirëmbajtësit.Ky është një lëshim i madh i Federatës së Futbollit së Kosovës, e cila nuk ka vepruar në kohë për të marrë rezultatet dhe të testohet e gjithë skuadra së bashku me zyrtarët.

    Rasti i fundit me “Covid-19” në futbollin tonë ishte gjyqtari Ilir Mehmeti, i cili ishte infektuar por tashmë është shëruar.Ndërsa, para rinisjes së kampionatit të gjitha klubet ishin testuar pasi futbollisti i KF Dritës, Izair Emini kishte rezultuar pozitiv. Për fat të mirë nuk kishte asnjë të infektuar me “Covid-19” në klubet tjera të Superligës.

    Vushtrria tashmë edhe matematikisht është përshëndetur nga elita e futbollit tonë, pasi renditet në pozitën e 11 me 18 pikë të grumbulluara pas 29 xhiro.Në fillim të këtij muaji (korrik) në qytetin e Vushtrrisë janë shfaqur mbi 50 raste me “Covid-19”.
    Kampionati i Kosovës në futboll rinisi më 7 qershor pas një pauze dy mujore për shkak të pandemisë.

    Futbolli u rikthye pas planit që FFK-ja e përpiloi duke i udhëzuar të gjitha klubet se si të veprojnë gjatë kësaj periudhe, një ndër masat është që ndeshjet të zhvillohet pa praninë e tifozëve dhe në ndeshje të jenë vetëm zyrtarët e klubeve, gazetarët dhe zyrtarët e FFK-së.Megjithatë, FFK-ja është në “gjumë” pasi masat kanë mbetur vetëm në letër, duke mos u respektuar fare nga klubet e Superligës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!