×
  • Sport
  • Sport / Formacionet zyrtare
    INSTANT

    Sylvinho zbulon formacionin që do të hedhë në fushë kundër Serbisë

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 19:28

    Shqipëria përballet me Serbinë në stadiumin “Arena Kombëtare”, në ndeshje më të rëndësishme për rrugëtimin e kuqezinjve drejt Botërorit 2026.

    Ekipi i Sylvinhos vjen pas një fitore 3-0 ndaj Andorrës në mars dhe do të kërkojë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë pikët e plota.

    Atmosfera në kryeqytet është entuziaste dhe çdo gjë është gati për një mbrëmje emocionuese futbolli. Ndeshja pritet me interes të lartë, si për rëndësinë sportive ashtu edhe për emocionet që di të ofrojë një duel i këtij niveli.

    Sylvinho ka ndryshuar rreshtimin, duke hedhur në fushë Strakoshën në portë, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj në mbrojtje. Mesfusha është e përbërë me surpriza, me shehun që nis titullar krah Asllanit, Laçit dhe Hoxhës, ndërsa sulmi përbëhet nga dyshja Manaj-Broja.

    Sfida starton në orën 20:45.

     

    Sylvinho: Jam i zhgënjyer me rezultatin por krenar me lojtarët

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 23:52

    Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, është shprehur i zhgënjyer me rezultatin 0-0 ndaj Serbisë, por tha se është shumë i lumtur me performanën e skuadrës.

    Ballafaqimin e sotëm ndaj Serbisë, Sylvinho e quajti si një nga ndeshjet më të mira në dy vitet e fundit.

    “Mendoj që kemi sulmuar shumë, pasi kemi luajtur me tre sulmues. Kishim një ekuilibër në skuadër dhe kemi bërë performancë shumë të mirë”.

    “Broja luajti në limitet e tij por ishte i lodhur pasi ka kohë që nuk luan. Pak a shumë edhe për Shehun i cili po ashtu ishte shumë i lodhur por erdhi tek ne pasi kishte luajtur të dielën dhe po ashtu ka luajtur gjatë gjithë sezonit, 40 ndeshje”, tha Sylvinho.

    Tutje, ai u shpreh se Shqipëria sonte shumë më tepër pasi tha se e kanë përgatitur ndeshjen shumë mirë në aspektin teknik, taktik dhe psikologjik.

    “I kam uruar lojtarët, jam shumë krenar për ta. Kemi bërë një ndeshje shumë serioze por i tillë është futbolli. Kemi merituar shumë më tepër por jam shumë krenar për të gjithë lojtarët”, tha ai.

     

    “Futbollistët tanë mezi shpëtuan gjallë në Tiranë”, mediat serbe me tituj dramatik për ndeshjen me Shqipërinë

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 23:39

    Mediat në Serbi e kanë kthyer në dramë përballjen e sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë.

    Kurir e ka pasqyruar të gjithë ndeshjen me termat “terror, skandal, po na sulmojnë lojtarët tanë”.

    Gjestin e fëmijëve kur bënë me duar shqiponjën dykrenare, e kanë përshkruar kështu: “Sa urrejtje në Tiranë! Skandalet nuk mbarojnë kurrë… fëmijët treguan shqiponjën  gjatë këndimit të himnit tonë kombëtar, shikoni skenat e tmerrshme që i tmerruan të gjithë!

    “Fubollistët shqiptarë meszi shpëtuan gjallë në Tiranë: Një ndeshje skandaloze që duhej të ndalohej!, janë disa nga titujt e tjerë dramatikë që mediat serbe i kanë vënë për këtë ndeshje që përfundoi pa incidente.

    “Kam luajtur shumë herët dhe duket sikur po plakem”, Hysaj: Trajneri më tha të rrija më mbrapa

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 23:29

    Elseid Hysaj pas ndeshjes me Serbinë, ka thënë se ndeshja ishte shumë e bukur, por prisnin që të fitonin.

    “Kemi bërë një ndeshje shumë të bukur. Kemi luajtur shumë mirë, mungesa e 3 pikëve na penalizon dhe duhet t’i marrim gjërat më të mira dhe të ecim përpara.

    Kam filluar shumë herët futbollin dhe duket sikur po plakem, e kishim ndjesinë që do ta fitonim ndeshjen sot. Kemi bërë shumë ndeshje si kjo sot.

    Trajneri më tha që të rija më mbrapa. Kjo ishte këshilla e tij. Broja ka shpejtësi të madhe dhe fizikisht është i fortë. Kemi pasur raste për të fituar ndeshje, ky është problemi.

    Ata kishin më frikë se ne për të luajtur futboll. Ata prisnin ndonjë korne, lojë nuk zhvilluan shumë. Këto janë ndeshje që duhet t’i luajë ai që i ndjen. Duhet të futemi në fushë dhe të japim maksimumin”, tha Hysaj për Digit Alb.

    Gjimshiti: Bëmë lojë të mirë, edhe një pikë është okej

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 23:15

    Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares Shqiptare, tha se bashkëlojtarët e tij bënë lojë të mirë.

    Ai tha se edhe një pikë është e vlefshme në këtë kohë.

    “Nëse e shohim si eci ndeshja (është mirë që morëm një pikë), por prapëseprapë, po besoj se Serbia e ka një kombëtare shumë të fortë. E dinim se me krosime janë të rrezikshëm. Megjithatë, besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, marrim këtë pikë dhe shikojmë përpara”, tha Gjimshiti për Klan Kosova.

    Kapiteni Kuqezi tha se mund të kenë ndikuar emocionet që skuadra nuk bëri shumë presion përpara ndaj Serbisë.

    “Kemi mundur ta rrezikojmë më shumë. Në këto ndeshje ka më shumë presion, ka emocione, dhe nuk dëshiron të gabosh. Kjo edhe besoj na ka frenuar të luajmë më në ofensivë. Prapëseprapë, jam i lumtur me ekipin si ka luajtur sot. Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi një të ardhme të mrekullueshme”, deklaroi Gjimshit.

    Shqipëria mbylli ndeshjen me Serbinë pa gola.

    Përfundon pa gola ndeshja Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 22:42

    Shqipëria u përball këtë të shtunë me Serbinë, në një ndeshje ku kuqezinjtë do të kërkonin me çdo kusht triumfin, por edhe pse i shkuan shumë afër në minutën e 45-të, ku Rey Manaj humbi një penallti të fituar me mjeshtëri nga Elseid Hysja,m nuk ia dolën dot.

    Ndeshja kishte rëndësi të veçantë për ecurinë në grup, por përveç kësaj, është pritur me interes të madh edhe për tifozët kuqezi.

    Kuqezinjtë treguan dëshirë të madhe që në fillim, dhe me disa raste që po ashtu i patën në pjesën e dytë, por pa arritur të qëllojnë në rrjetën e kundërshtarit.

    Në stadium ishin të pranishëm mijëra tifozë të Kombëtares së Shqipërisë, ndërkohë ekipi kuqezi u mbështet edhe nga mijëra tifozë të tjerë jashtë stadiumit./Reporteri.net/

     

    Fubollistët serbë vazhdojë me ankesa për tifozët, ndeshja vazhdon

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 22:11

    Shqipëria po përballet me Serbinë në “Air Albania” në ndeshjen eliminatore për Botërorin 2026.

    Dy lojtarë serbë kanë pretenduar se janë goditur nga mjete që janë hedhur në fushë.

    Tifozëve u është bërë thirrje që të mos hedhin mjete në fushë ngase mund të çojë në pezullimin e ndeshjes.

    Ndeshja është duke vazhduar. /Reporteri.net/

     

    Nis pjesa e dytë e përballjes Shqipëri-Serbi, ende pa gola

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 21:56

    Ka nisur pjesa e dytë e përballjes Shqipëri-Serbi.

    Rezultati vazhdon të jetë 0:0.

    Kombëtarja u tregua më e mirë gjatë pjesë së parë,  duke rrezikuar në tri raste të ndryshme, por që në katërtin e humbi penalltinë.

    Ishte Rey Manaj që dështoi nga pika e bardhë.

    Manaj humb penalltinë, përfundon pjesa e parë Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 21:35

    Ka përfunduar pjesa e parë e përballjes Shqipëri-Serbi.

    Shqipëria pati një shansë të mirë për të kaluar në epërsi me anë të penalltisë, por ishte Manaj ai që humbi këtë rast.

     

    Shqipëri-Serbi, ende pa gola në “Air Albania”

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 21:26

    Shqipëria përballet me Serbinë në stadiumin “Arena Kombëtare”, në ndeshje më të rëndësishme për rrugëtimin e kuqezinjve drejt Botërorit 2026.

    Rezultati momental i ndeshjes është 0-0, pas gati 40 minutave lojë në “Air Albania”.

    Gjatë ndeshjes janë dëgjuar brohorima “Kosova” dhe “UÇK, UÇK”.

    Mesfushori serb, Sasa Lukic madje u ankua  se ishte goditur në kokë.

    Kjo çoi që gjyqtari i ndeshjes italiani Massa t’i kërkojë Berat Gjimshitit të këshillojë tifozët shqiptarë në tribunë që të mos hedhin objekte në fushë, ngase ndeshja mund të ndërpritet. /Reporteri.net/

     

    Nis përballja Shqipëri – Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 20:49

    Shqipëria po përballet me Serbinë më “Air Albania” në ndeshjen eliminatore për Botërorin 2026.

    Ndeshja tashmë ka nisur.

    Shqipëria pas dy ndeshjeve është e dyta me tri pikë.

    Për Serbinë është ndeshja e parë në këtë cikël eliminator.

    Në stadium vazhdojnë të dëgjohen brohorima “UÇK, UÇK”, nga tifozët.

    Tifozëve po ashtu u është bërë thirrje të mos hedhin objekte në fushë, ngase mund të pezullohet ndeshja. /Reporteri.net/

    “Mora fjalë” jehon në stadium, tifozët brohorasin “UÇK, UÇK” para fillimit të ndeshjes

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 20:40

    Nën ritmet e këngës “Mora Fjalë”, tifozët shqiptarë klnduan të gjithë së bashku duke i dhënë zemër lojtarëve përpara përballjes me Serbinë.

    Ata u dëgjuan edhe duke brohoritur “Uçk, Uçk”, ndërkohë që në stadium jetonte “Mora fjalë” e Shkurte Fejzës.

    Vetëm pak minuta na ndajnë nga starti i kësaj përballje të rëndësishme që i përket ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026./Reporteri.net/

    Në Tiranë bëhet festë, muzikë dhe valle në prag të ndeshjes me Serbinë

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 19:05

    Shqipëria po bëhet gati për ndeshjen më të rëndësishëm të Kualifikueseve të Botërorit 2026, atë kundër Serbisë.

    Rrugët e Tiranës janë “ngjyrosur” kuq e zi, teksa tifozët, ashtu si në çdo ndeshje tjetër, edhe sot e kanë kthyer në një ditë feste.

    Muzikë me daulle dhe valle kanë shoqëruar mbështetësit e Kombëtares shqiptare, teksa të pranishëm në rrugë janë dhe forcat e rendit, për të shmangur çdo incident të mundshëm.

    Nga mesfushori i Lecces te futbollisti që u grumbullua për herë të parë, katër lojtarët që do e ndjekin nga tribuna ndeshjen Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 17:48

    Trajneri Sylvinho ka bërë zgjedhjet e tij për përballjen ndaj Serbisë, duke lënë jashtë listës zyrtare të ndeshjes katër futbollistë nga grupi fillestar prej 27 lojtarësh.

    Sipas rregullores së UEFA-s, vetëm 23 emra lejohen të jenë pjesë e protokollit për ndeshjen, dhe nga kjo listë kanë mbetur jashtë Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti.

    Mungesa e Medon Berishës konsiderohet surprizë, pasi mesfushori i Serie A ka qenë pjesë e pankinës në ndeshjet e kaluara ndaj Anglisë dhe Andorrës. Po ashtu, edhe Adrion Pajaziti, që ka marrë minuta në dy ndeshjet e para kualifikuese, nuk do të jetë në dispozicion për këtë përballje të rëndësishme.

    Portieri Mario Dajsinani, që u grumbullua për herë të parë nga Sylvinho për këtë cikël, nuk do të ketë mundësi të jetë alternativë në portë, ndërsa mbetet të presë një rast tjetër për të debutuar në një ndeshje zyrtare. Adrian Bajrami, i cili nuk ka arritur ende të fitojë minuta nën drejtimin e trajnerit brazilian, mbetet gjithashtu jashtë.

    Shqipëria përballet me Serbinë sonte në orën 20:45, në një ndeshje mjaft delikate dhe me rëndësi të madhe për kualifikueset e Botërorit 2026.

    Ish-futbollisti i kombëtares kuqezi: Shqipëria fiton ndaj Serbisë me rezultat prej 2-1

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 17:18

    Të gjithë kanë “sytë e zemrën” te Kombëtarja shqiptare sonte në mbrëmje. Shqipëria do të përballet me Serbinë, duke nisur prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Shqiptarët janë entuziastë, teksa të gjithë besojnë te fitorja.

    Diçka të tillë e beson edhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Valdet Rama.

    Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, sulmuesi 37-vjeçar, i cili ka qenë prezent edhe në ndeshjen e 14 tetorit 2014, Serbi – Shqipëri, thotë se incidentet e asaj sfide i krijojnë ndjenjë të keqe.

    Ndër të tjera, Rama thotë se Kombëtarja ka kualitetin për të fituar sonte, duke theksuar se Serbia nuk është ndonjë kundërshtar i madh, siç mund të ishte Spanja. Sipas mendimin të sulmuesit, ndeshja do të përfundojë 2-1 në favor të kuqezinjve.

    “Të them të drejtën atëherë kemi pasur lojtarë të ndryshëm, karaktere të ndyrshme dhe trajner tjetër. Sot kemi një trajner me ide tjetër loje. Kemi lojtarë shumë të mirë edhe tani. Kualiteti sa vjen e rritet, kështu që, ne kemi kualitetin që sot të mposhtim Serbinë. Duhet besim dhe guxim, duhet të shohim këtë kualitet që në sekondat e para të fillimit të ndeshjes”, ka tënë ai.

    Ai ka thënë se kombëtarja shqiptare i ka të gjitha kapacitetet për ta mposhtur Serbinë.

    “Siç thashë më herët, ne kemi lojën në shtëpi. Kemi kualitetin për të mposhtur Serbinë. Edhe Serbia ka kualitet, por ne nuk po luajmë kundër Spanjës apo ndonjë skuadre të madhe, ku pak a shumë njeriu e di që është shumë e vështirë. Kjo ndeshje do të jetë e vështirë patjetër, por jam i bindur se ne do të fitojmë nëse prej fillimit futemi në fushë me guxim, t’i kërkojmë dhe t’i fitojmë duelet kryesore. Jam i bindur që kemi për të bërë një ndeshje shumë të mirë dhe ta fitojmë atë”, ka thënë Rama.

     

    Policia shqiptare publikon planin operativ për ndeshjen Shqipëri-Serbi që luhet sonte

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 16:55

    Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.

    Njoftimi nga Policia e Shtetit:

    Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.

    Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të përfshira në këtë plan masash. Në planin e masave parashikohen:

    -Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

    -Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

    -Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;

    -Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

    -Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

    -Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

    Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

    Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

    Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

    Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

    Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

    Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

    Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

    Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

    Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

    Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

    Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

    Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

    Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

    Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

    Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

    Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

    Radhë të gjatë në kufi për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi, policia shqiptare shpërndan ujë

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 16:36

    Ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare” ka krijuar radhë të gjatë në kufi.

    Policia e Shqipërisë në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Shkup, ka vendosur të shpërndajë ujë tek të gjitha makinat që po presin radhën në temperatura të larta për të kaluar kufirin në Bllatë, Dibër.

    Pikat kufitare kanë nisur një procedurë më të thjeshtuar, për të mundësuar kalimin në trojet shqiptare më lehtë.

    “Nuk ka pajtim mbi gjakun e 13 mijë shqiptarëve”, Tifozat Kuq e Zi dalin me reagim

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 15:12

    Tifozat Kuq e Zi kanë dalë me disa fotografi me mbishkrime të ndryshme para ndeshjes se sotme (e shtunë) ndaj Serbisë.

    Shqipëria do të përballet ndaj Serbisë me fillim nga ora 20:45 në kuadër të rrethit të tretë kualifikues për Botërorin e vitit 2026.

    Ndeshja që do të zhvillohet në ‘Air Albania’ ka ngjallur interesim të madh nga publiku, por aty pritet që sot të mungojnë Tifozat Kuq e Zi.

    Pas një përplasje me krerët e FSHF-së sa i përket biletave të shpërndara për tifogrupet e organizuara, ata morën vendimin të mos jenë pjesëmarrës në këtë ndeshje.

    “Historia nuk harrohet për një Evropian”, “Jo harresës, jo bashkëorganizimit me gjakatarin”.

    “Fëmijët tanë nuk panë Evropian, panë luftë”, “Nderi nuk blihet me futboll”, “Nuk ka pajtim mbi gjakun e 13.00 shqiptarëve”, ishin fotografitë me mesazhe të cilat ata i shpërndanë në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se për këtë ndeshje janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie dhe rreth 2000 efektivë policorë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e rendit./Telegrafi/

    Mavraj: Çuna, lufta ka mbaruar, Kosova është e jona përgjithmonë – tani luani futboll

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 13:34

    Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ka postuar një mesazh, ndërsa sot do të luhet ndeshja Shqipëri-Serbi.

    “Çuna, lufta ka mbaruar. Kosova është e jona, përgjithmonë. Tani luani futboll”, shkruan ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare

    Kujtojmë se Mavraj e mbajti për 50 ndeshje veshur fanellën e Kombëtares. Ish-mbrojtësi shënoi edhe tre gola ku më i rëndësishmi ishte ndaj Armenisë.

    Ky takim është programuar për në orën 20:45 dhe vlen për kualifikueset e Botërorit 2026. /Reporteri.net/.

     

    “Air Albania” nën masa të rrepta, ja çfarë duhet të dini para ndeshjes Shqipëri–Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 12:22

    Kombëtarja shqiptare do të zbresë sonte në fushë përballë Serbisë, në një përballje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “FIFA World Cup 2026”.

    Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, duke filluar nga ora 20:45.

    Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, Federata Shqiptare e Futbollit ka rikujtuar masat e sigurisë që do të jenë në fuqi si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit.

    “Çfarë duhet të dini para ndeshjes? Cilat janë Kontrollet e Sigurisë?, Cilat janë veprat penale?, Cilat janë sendet e ndaluara?”, thuhet në njoftimin e FShF-së, duke i ftuar qytetarët të njihen me informacionet përkatëse para hyrjes në stadium.

    Tifozat Kuq e Zi: Nuk na është lejuar pjesëmarrja në ndeshjen Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 10:18

    Tifozëve Kuq e Zi nuk iu është lejuar pjesëmarrja në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila zhvillohet në Tiranë.

    Anëtari i Tifozave Kuq e Zi, Ariglon Pali  tha se nuk është hera e parë që tifozët shqiptarë nuk lejohen në një ndeshje të Shqipërisë, pasi diçka e tillë ndodhi në Beograd më 2014, ku federata serbe nuk i lejoi ata, derisa Pali shton se një gjë e tillë po ndodh edhe nga Federata Shqiptare.

    “Federata është sjell në mënyrë shumë arrogante me Tifozët Kuq e Zi, një grupim që ka 21 vjet që funksionin, që është themeluar dhe e ndjek Kombëtaren në çdo ndeshje, dhe në një moment që ti nuk do të trazosh serbët, sepse Tifozat Kuq e Zi nuk e kanë dëmtuar kurrë Federatën Shqiptare, por Federata është druar shumë nga sharjet që i janë bërë serbëve, ndoshta është mërzitur edhe nga disa sharje që i janë bërë zotit president në ndeshjen e fundit”, tha ai për KlanKosova.

    Tutje, Pali tha se FSHF-ja e ka personale me Tifozat Kuq e Zi.

    Media serbe e xhiron fshehurazi stërvitjen e Shqipërisë në Tiranë, reagon trajneri Sylvinho

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 8:18

    Një skandal mediatik ka shpërthyer para përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë.

    Mediumi serb “Kurir” ka publikuar pamje të marra fshehurazi nga stërvitja e Kombëtares shqiptare në Tiranë, duke i shoqëruar me një titull provokues:

    Ky veprim ka ngritur shqetësime për shkeljen e etikës profesionale dhe tentativat për tensionim të atmosferës para ndeshjes.

    Sylvinho reagon qetë ndaj provokimit

    Në konferencën për shtyp, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, reagoi me maturi ndaj këtij raportimi:

    “Trajneri i Serbisë tha se i ka parë 5-6 ndeshje tona. Edhe ne i kemi parë po aq ndeshje të tyre. Nuk ka asnjë efekt ky raportim dhe ato incizime.”

    Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet me fokus dhe qetësi, pa u ndikuar nga manovrat provokuese jashtë fushe. Gjithçka pritet të zgjidhet aty ku duhet – në fushën e lojës./GazetaExpress/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!