×
  • Sport
  • Sport
    INSTANT

    Tifozat Kuq e Zi: Nuk na është lejuar pjesëmarrja në ndeshjen Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 10:18

    Tifozëve Kuq e Zi nuk iu është lejuar pjesëmarrja në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila zhvillohet në Tiranë.

    Anëtari i Tifozave Kuq e Zi, Ariglon Pali  tha se nuk është hera e parë që tifozët shqiptarë nuk lejohen në një ndeshje të Shqipërisë, pasi diçka e tillë ndodhi në Beograd më 2014, ku federata serbe nuk i lejoi ata, derisa Pali shton se një gjë e tillë po ndodh edhe nga Federata Shqiptare.

    “Federata është sjell në mënyrë shumë arrogante me Tifozët Kuq e Zi, një grupim që ka 21 vjet që funksionin, që është themeluar dhe e ndjek Kombëtaren në çdo ndeshje, dhe në një moment që ti nuk do të trazosh serbët, sepse Tifozat Kuq e Zi nuk e kanë dëmtuar kurrë Federatën Shqiptare, por Federata është druar shumë nga sharjet që i janë bërë serbëve, ndoshta është mërzitur edhe nga disa sharje që i janë bërë zotit president në ndeshjen e fundit”, tha ai për KlanKosova.

    Tutje, Pali tha se FSHF-ja e ka personale me Tifozat Kuq e Zi.

    Nga mesfushori i Lecces te futbollisti që u grumbullua për herë të parë, katër lojtarët që do e ndjekin nga tribuna ndeshjen Shqipëri-Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 17:48

    Trajneri Sylvinho ka bërë zgjedhjet e tij për përballjen ndaj Serbisë, duke lënë jashtë listës zyrtare të ndeshjes katër futbollistë nga grupi fillestar prej 27 lojtarësh.

    Sipas rregullores së UEFA-s, vetëm 23 emra lejohen të jenë pjesë e protokollit për ndeshjen, dhe nga kjo listë kanë mbetur jashtë Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti.

    Mungesa e Medon Berishës konsiderohet surprizë, pasi mesfushori i Serie A ka qenë pjesë e pankinës në ndeshjet e kaluara ndaj Anglisë dhe Andorrës. Po ashtu, edhe Adrion Pajaziti, që ka marrë minuta në dy ndeshjet e para kualifikuese, nuk do të jetë në dispozicion për këtë përballje të rëndësishme.

    Portieri Mario Dajsinani, që u grumbullua për herë të parë nga Sylvinho për këtë cikël, nuk do të ketë mundësi të jetë alternativë në portë, ndërsa mbetet të presë një rast tjetër për të debutuar në një ndeshje zyrtare. Adrian Bajrami, i cili nuk ka arritur ende të fitojë minuta nën drejtimin e trajnerit brazilian, mbetet gjithashtu jashtë.

    Shqipëria përballet me Serbinë sonte në orën 20:45, në një ndeshje mjaft delikate dhe me rëndësi të madhe për kualifikueset e Botërorit 2026.

    Ish-futbollisti i kombëtares kuqezi: Shqipëria fiton ndaj Serbisë me rezultat prej 2-1

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 17:18

    Të gjithë kanë “sytë e zemrën” te Kombëtarja shqiptare sonte në mbrëmje. Shqipëria do të përballet me Serbinë, duke nisur prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Shqiptarët janë entuziastë, teksa të gjithë besojnë te fitorja.

    Diçka të tillë e beson edhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Valdet Rama.

    Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, sulmuesi 37-vjeçar, i cili ka qenë prezent edhe në ndeshjen e 14 tetorit 2014, Serbi – Shqipëri, thotë se incidentet e asaj sfide i krijojnë ndjenjë të keqe.

    Ndër të tjera, Rama thotë se Kombëtarja ka kualitetin për të fituar sonte, duke theksuar se Serbia nuk është ndonjë kundërshtar i madh, siç mund të ishte Spanja. Sipas mendimin të sulmuesit, ndeshja do të përfundojë 2-1 në favor të kuqezinjve.

    “Të them të drejtën atëherë kemi pasur lojtarë të ndryshëm, karaktere të ndyrshme dhe trajner tjetër. Sot kemi një trajner me ide tjetër loje. Kemi lojtarë shumë të mirë edhe tani. Kualiteti sa vjen e rritet, kështu që, ne kemi kualitetin që sot të mposhtim Serbinë. Duhet besim dhe guxim, duhet të shohim këtë kualitet që në sekondat e para të fillimit të ndeshjes”, ka tënë ai.

    Ai ka thënë se kombëtarja shqiptare i ka të gjitha kapacitetet për ta mposhtur Serbinë.

    “Siç thashë më herët, ne kemi lojën në shtëpi. Kemi kualitetin për të mposhtur Serbinë. Edhe Serbia ka kualitet, por ne nuk po luajmë kundër Spanjës apo ndonjë skuadre të madhe, ku pak a shumë njeriu e di që është shumë e vështirë. Kjo ndeshje do të jetë e vështirë patjetër, por jam i bindur se ne do të fitojmë nëse prej fillimit futemi në fushë me guxim, t’i kërkojmë dhe t’i fitojmë duelet kryesore. Jam i bindur që kemi për të bërë një ndeshje shumë të mirë dhe ta fitojmë atë”, ka thënë Rama.

     

    Policia shqiptare publikon planin operativ për ndeshjen Shqipëri-Serbi që luhet sonte

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 16:55

    Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.

    Njoftimi nga Policia e Shtetit:

    Policia e Shtetit, plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri – Serbi”, që do të zhvillohet më datë 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”, Tiranë.

    Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të përfshira në këtë plan masash. Në planin e masave parashikohen:

    -Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Serbisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

    -Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

    -Kryerja e kontrolleve sistematike në mjediset brenda dhe jashtë stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;

    -Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

    -Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

    -Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

    Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

    Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Serbisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

    Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

    Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

    Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

    Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

    Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.

    Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

    Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

    Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

    Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

    Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

    Gjithashtu, apelojmë për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

    Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

    Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.

    Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

    Radhë të gjatë në kufi për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi, policia shqiptare shpërndan ujë

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 16:36

    Ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare” ka krijuar radhë të gjatë në kufi.

    Policia e Shqipërisë në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Shkup, ka vendosur të shpërndajë ujë tek të gjitha makinat që po presin radhën në temperatura të larta për të kaluar kufirin në Bllatë, Dibër.

    Pikat kufitare kanë nisur një procedurë më të thjeshtuar, për të mundësuar kalimin në trojet shqiptare më lehtë.

    “Nuk ka pajtim mbi gjakun e 13 mijë shqiptarëve”, Tifozat Kuq e Zi dalin me reagim

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 15:12

    Tifozat Kuq e Zi kanë dalë me disa fotografi me mbishkrime të ndryshme para ndeshjes se sotme (e shtunë) ndaj Serbisë.

    Shqipëria do të përballet ndaj Serbisë me fillim nga ora 20:45 në kuadër të rrethit të tretë kualifikues për Botërorin e vitit 2026.

    Ndeshja që do të zhvillohet në ‘Air Albania’ ka ngjallur interesim të madh nga publiku, por aty pritet që sot të mungojnë Tifozat Kuq e Zi.

    Pas një përplasje me krerët e FSHF-së sa i përket biletave të shpërndara për tifogrupet e organizuara, ata morën vendimin të mos jenë pjesëmarrës në këtë ndeshje.

    “Historia nuk harrohet për një Evropian”, “Jo harresës, jo bashkëorganizimit me gjakatarin”.

    “Fëmijët tanë nuk panë Evropian, panë luftë”, “Nderi nuk blihet me futboll”, “Nuk ka pajtim mbi gjakun e 13.00 shqiptarëve”, ishin fotografitë me mesazhe të cilat ata i shpërndanë në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se për këtë ndeshje janë ndërmarrë masa të rrepta sigurie dhe rreth 2000 efektivë policorë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e rendit./Telegrafi/

    Mavraj: Çuna, lufta ka mbaruar, Kosova është e jona përgjithmonë – tani luani futboll

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 13:34

    Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ka postuar një mesazh, ndërsa sot do të luhet ndeshja Shqipëri-Serbi.

    “Çuna, lufta ka mbaruar. Kosova është e jona, përgjithmonë. Tani luani futboll”, shkruan ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare

    Kujtojmë se Mavraj e mbajti për 50 ndeshje veshur fanellën e Kombëtares. Ish-mbrojtësi shënoi edhe tre gola ku më i rëndësishmi ishte ndaj Armenisë.

    Ky takim është programuar për në orën 20:45 dhe vlen për kualifikueset e Botërorit 2026. /Reporteri.net/.

     

    “Air Albania” nën masa të rrepta, ja çfarë duhet të dini para ndeshjes Shqipëri–Serbi

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 12:22

    Kombëtarja shqiptare do të zbresë sonte në fushë përballë Serbisë, në një përballje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “FIFA World Cup 2026”.

    Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, duke filluar nga ora 20:45.

    Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, Federata Shqiptare e Futbollit ka rikujtuar masat e sigurisë që do të jenë në fuqi si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit.

    “Çfarë duhet të dini para ndeshjes? Cilat janë Kontrollet e Sigurisë?, Cilat janë veprat penale?, Cilat janë sendet e ndaluara?”, thuhet në njoftimin e FShF-së, duke i ftuar qytetarët të njihen me informacionet përkatëse para hyrjes në stadium.

    Media serbe e xhiron fshehurazi stërvitjen e Shqipërisë në Tiranë, reagon trajneri Sylvinho

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 8:18

    Një skandal mediatik ka shpërthyer para përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë.

    Mediumi serb “Kurir” ka publikuar pamje të marra fshehurazi nga stërvitja e Kombëtares shqiptare në Tiranë, duke i shoqëruar me një titull provokues:

    Ky veprim ka ngritur shqetësime për shkeljen e etikës profesionale dhe tentativat për tensionim të atmosferës para ndeshjes.

    Sylvinho reagon qetë ndaj provokimit

    Në konferencën për shtyp, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, reagoi me maturi ndaj këtij raportimi:

    “Trajneri i Serbisë tha se i ka parë 5-6 ndeshje tona. Edhe ne i kemi parë po aq ndeshje të tyre. Nuk ka asnjë efekt ky raportim dhe ato incizime.”

    Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet me fokus dhe qetësi, pa u ndikuar nga manovrat provokuese jashtë fushe. Gjithçka pritet të zgjidhet aty ku duhet – në fushën e lojës./GazetaExpress/

    The Guardian për ndeshjen Shqipëri-Serbi: Pajisjet kundër dronëve janë gati, Ismail Morina është “zhdukur”

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 8:13

    Jashtë një kafeneje tre blloqe larg nga Arena Kombëtare, dy burra qëndronin mbi karrige dhe po montonin pajisje në tendën mbrojtëse.

    Dreka e së enjtes sapo kishte kaluar dhe Tirana po përgatitej për një ndeshje që mund të kishte mbushur stadiumin kombëtar të paktën 10 herë. Nuk kishte asnjë vështirësi për të identifikuar flamurin shqiptar, shqiponja e zezë me dy koka që shtrihej nga qendra e saj.

    Flamuri i dytë që po ngrihej është bërë gjithashtu i zakonshëm. Ai mbante fjalën “Autochthonous”, duke paraqitur një version të hartës së “Shqipërisë së Madhe” që e shndërroi një ndeshje futbolli në një incident madhor diplomatik në vitin 2014.

    Të premten në mëngjes ai flamur ishte zëvendësuar me një version më pak nxitës. Ndoshta autoritetet kishin hyrë për një “bisedë të qetë”. Ata duan të eliminojnë çdo shkak të mundshëm për trazira si ato që shpërthyen në Beograd 11 vite më parë, kur një dron uli imazhin e diskutueshëm në stadiumin e Partizanit gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Europian mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasojat e asaj nate shkuan përtej sportit, dhe pati lehtësim të përgjithshëm kur, në nëntorin pasues, ndeshja e kthimit në qytetin shqiptar Elbasan kaloi pa incidente madhore.

    Me siguri fytyrat ranë në pëllëmbë në federatat e të dy vendeve në dhjetor të vitit të kaluar, kur shorti i kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 i vendosi përballë njëra-tjetrës. U ngritën vetulla në arenën ndërkombëtare, por nuk kishte asgjë që i pengonte të përballeshin sërish: pavarësisht një historie të gjatë dhe të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës janë nga lufta në Kosovën me shumicë etnike shqiptare, kombet nuk janë në konflikt aktiv. Asnjëri nuk kishte kërkuar të shmangte tjetrin. Ishte e pashmangshme që problemi i marrëdhënieve në kontekstin e futbollit të rishfaqej një ditë.

    Asnjë burim nuk po kursehet për ta zgjidhur. Rreth 2,000 efektivë policie do të vendosen për ndeshjen e parë të Grupit K të shtunën në mbrëmje, përfshirë forcat speciale dhe antiterror. Gjithashtu, burime sugjerojnë se deri në 500 policë me rroba civile do të jenë mes 22,500 spektatorëve. Tifozët e huaj nuk do të jenë të pranishëm. Pajisje kundër dronëve po instalohen në zonën përreth dhe personat e paralajmëruar se pajisjet e tyre do të rrëzohen nga qielli.

    Me shumë gjasa, çdo përpjekje për trazira do të marrë një formë tjetër; dronët nuk ishin aq të zakonshëm në jetën publike kur ai mjeti i vogël shkaktoi kaos në Beograd. Por masat e marra rikujtojnë Ismail Morinën, operatorin e vinçit me mjekër dhe dukje të padëmshme, i cili u shpall hero kombëtar për pranimin e përgjegjësisë për incidentin e vitit 2014. Edhe pse nuk u raportua gjerësisht atëherë, Morina kishte një bashkëpunëtor që ka preferuar të qëndrojë në hije.

    Veprimi i Morinës pati kosto: ai u arrestua për mbajtje të paligjshme armësh para vizitës së Serbisë në 2015, duke u mbajtur larg syve të publikut gjatë asaj ndeshjeje. Më pas u burgos në Kroaci dhe Itali, ku kishte leje qëndrimi, sipas një urdhër arresti serb të lëshuar përmes Interpolit. Ai është rikthyer në stadiumet shqiptare, duke u ngritur mbi krahët e tifozëve në ndeshjen ndaj Çekisë në vitin 2023 dhe duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani. Së fundmi është parë në ndeshje vendore, por në prag të takimit të së shtunës, llogaritë e tij të dikurshme në rrjetet sociale janë zhdukur. Nëse ndonjë nga të njohurit e tij e di ku ndodhet, nuk e thotë. Supozohet se ai nuk do të rrezikonte të afrohej pranë stadiumit të shtunën.

    Ai nuk do të jetë i vetmi ultra, i kaluar apo aktual, që do të mbahet larg. Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka shitur bileta në grup për tifozët organizuar, por i ka shpërndarë përmes shortit nga më shumë se 200,000 aplikime dhe ka rritur çmimet. Kjo duket si përpjekje e qëllimshme për të “pastruar” atmosferën; grupi Tifozat Kuq e Zi, që krijon pamjen më të gjallë në ndeshjet e kombëtares, reagoi ashpër dhe e cilësoi një “farsë të organizuar” në favor të të pasurve. Ata do të organizojnë një mbledhje alternative te Piramida e Tiranës, 400 metra nga stadiumi, ku është dhënë leje për një ekran gjigant. Në tregun e zi, çmimet e biletave kanë kaluar 1,000 paund.

    Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpresin Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027 shton një tjetër dimension. Nëse pritshmëritë janë të larta për vendasit e së shtunës, po aq janë edhe për organin drejtues të futbollit europian, UEFA. Një marrëveshje kaq ambicioze, e shtyrë kryesisht nga presidenti i FSHF-së dhe nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e paqëndrueshme nëse ndodh ndonjë incident. Tifozat Kuq e Zi kanë shprehur kundërshtinë ndaj bashkë-organizimit si me fjalë, ashtu edhe me simbole vizuale, dhe mendojnë se kjo ka ndikuar në përjashtimin e tyre.

    I vetmi shpërqendrim gjatë stërvitjes së Shqipërisë të enjten në mbrëmje ishin disa vaditës shumë të zellshëm, praninë e të cilëve askush nuk e kundërshtoi në temperatura mbi 30°C. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios, është i vetmi lojtar aktual që ishte në ndeshjen kaotike të Beogradit. “Nuk duhet të përsërisim pamjet e viteve të kaluara,” tha ai. “Trajneri na ka kërkuar të mos panikosemi për këtë ndeshje. Duhet qetësi dhe ekuilibër emocional.”

    Sylvinho, trajneri në fjalë dhe një prej karaktereve më të afërt të futbollit ndërkombëtar, bëri shaka ndërsa luante me topin me ndihmësit e tij, por është nën presion për të dhënë rezultate. E njëjta gjë vlen për Dragan Stojkoviç, homologun e tij. Anglia, që plotëson pesëshe e Grupit K bashkë me Letoninë dhe Andorrën, shihet si fituese e sigurt nga të dy kampet. Shqipëria dhe Serbia e dinë që po luftojnë për një vend në “play-off” dhe përballjet mes tyre – e dyta do të zhvillohet për katër muaj – do të jenë vendimtare.

    Në orën 13:40 me orën lokale të premten, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre një milje në perëndim të qendrës së Tiranës. Oficerë të armatosur nga RENEA, forca antiterror e Shqipërisë, rrethuan dy autobusë që kishin udhëtuar nga aeroporti me eskortë. Hapi i parë i një operacioni që do të zgjasë gjatë fundjavës kaloi pa probleme. Nëse gjithçka mbetet kështu, ndoshta hija e 14 tetorit 2014 do të fillojë më në fund të zhduket. /Top Channel

    Sonte në “Air Albania”, Shqipëria përballet me Serbinë, kërkon vetëm fitore

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 8:09

    Shqipëria dhe Serbia do të përballen sot në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026.

    Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.

    Shqipëria ka mbledhur deri tani 3 pikë nga dy ndeshje të luajtura, ndërsa për Serbinë kjo do të jetë ndeshja e parë në grup. Kujtojmë që sfidat mes këtyre dy ekipeve kanë pasur gjithmonë tensione dhe emocione të veçanta.

    Atmosfera në Tiranë pritet të jetë elektrizuese, ndërsa të dyja skuadrat synojnë të marrin pikët e plota për të ecur përpara në garën e gjatë drejt Botërorit.

    UEFA ka shpallur tashmë emrat e zyrtarëve të ndeshjes, ku takimi do të drejtohet nga gjyqtari italian Davide Massa.

    Asistentët e tij në këtë përballje të rëndësishme do të jenë Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca.

    Në dhomën e VAR-it, teknologjia që gjithmonë ka rol vendimtar në ndeshje të tilla, do të jenë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.

    Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka theksuar se kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të synuar fitoren ndaj Serbisë, në përballjen e së shtunës në Tiranë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botërorit 2026.

    “Shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur, janë 90 minuta të gjatë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët. Rruga drejt Botërorit është e gjatë”, ka deklaruar Sylvinho. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!