×
  • Sport
  • Sport

    “Tour de France” mund të mos mbahet këtë vit

    Reporteri
    05 Maj 2020 | 18:19

    Nuk ka garanci se gara më e madhe e çiklizmit “Tour de France” do të mbahet këtë vit për shkak të krizës së COVID-19, ka thënë ministrja e sportit e Francës, Roxana Maracineanu të martën, shkruan agjencia Reuters.


    “Tour de France” është shtyrë për 29 gusht. Por, pasi që tubimet në masë janë ndaluar në Francë deri në fund të gushtit, duhet të bëhen aranzhime të veçanta për të nisur garën në Nice, tha Maracineanu muajin e kaluar.

    “Shumë njerëz po më lusin që të lejohet mbajtja e ‘Tour de France’ edhe pa shikues. Unë shpresoj që të mbahet, por nuk jam e sigurt. Nuk e dimë se si do të jetë situata pas lehtësimit të masave”, ka thënë Maracineanu.

    Masat kufizuese në Francë, që janë në fuqi që nga 17 marsi, do të hiqen pjesërisht në ditët e ardhshme, ndonëse disa kampionate sportive, përfshirë edhe Ligue 1 e Francës në futboll dhe Top 14 në ragbi, janë anuluar.

    Maracineanu ka shtuar se “Tour de France” si dhe Grand Slam turneu i tenisit “French Open”, që është shtyrë për 29 shtator, mund të mbahen pa shikues nëse nuk lejohen tubimet në masë.

    “Si Tour de France dhe French Open esencën e kanë te tifozët. Stadiumet në Roland Garros pa shikues do të ishin zgjedhja më e keqe, por do ta bënim nëse do të kishte rëndësi për mbijetesë”, ka thënë ministrja.

    Por, Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI) ka njoftuar se “Tour de France” planifikohet të organizohet në fund të gushtit, ndërsa Giro d’Italia dhe Vuelta do të mbahen në tetor. Giro d’Italia do të fillojë më 3 tetor dhe mbarojë më 25 tetor, ndërsa Vuelta do të fillojë më 20 tetor dhe mbarojë më 8 nëntor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!