×
  • Sport
  • Sport

    UEFA, e gatshme ta shtyjë afatin e fundit për ligat

    Reporteri
    12 Maj 2020 | 11:27

    Gazeta britanike DailyMail shkruan se UEFA është e gatshme ta shtyjë afatin përfundimtar të 25 majit, që e kishte vendosur si datën e fundit kur Federatat duhet të vendosin për fatin e këtij sezoni në ligat vendore, nëse i kërkohet një gjë e tillë.


    Presidenti i organit qeverisës të futbollit evropian, Aleksander Ceferin, i informoi klubet muajin e kaluar se kanë kohë deri më 25 maj për të vendosur se çfarë do të bëjnë me ligat këtë sezon – nëse duan ta përfundojnë sezonin dhe në çfarë formati, apo duan ta përfundojnë sezonin para kohe, transmeton Gazeta Express.

    Megjithatë, takimi i së hënës mes klubeve dhe autoriteteve përgjegjëse të Premierligës nuk e afroi kthimin e futbollit në Britani dhe atyre ende po u mungon një datë kthimi apo një vendim për fatin e ligës këtë sezon.

    Klubet angleze do të votojnë për të ardhmen e sezonit 2019/20 të Premierligës të hënën e ardhshme, mirëpo kjo çështje është komplikuar nga vendimi i qeverisë britanike për të mos e lejuar zhvillimin e ndeshjeve, qoftë kjo edhe prapa dyerve të mbyllura, para 1 qershorit.

    Ky vendim solli spekulimet në mediumet britanike se kjo datë do të shtyhet sërish më vonë, kur të afrohet 1 qershori nëse situata me koronavirus nuk ndryshon – duke shkaktuar kështu që afatet kohore të caktuara nga UEFA të jenë të pamundura për t’u arritur nga klubet angleze.

    Megjithatë, UEFA e kupton se sa e komplikuar është kjo situatë dhe është e gatshme t’u japë Federatave kohë përtej 25 majit për të vendosur se çfarë do të bëhet me ligat vendore këtë sezon. /Gazeta Express/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!