Ndërprerja për shkak të pandemisë Covid-19 dhe rreziku për të mos mbyllur sezonin, pritet t’u kushtojnë shtrenjtë klubeve të futbollit, që kanë filluar aktualisht të ndjejnë efektet ekonomike të kësaj krize.
Shumë klube kanë nxjerrë të papunë një pjesë të stafit, ndërsa njëkohësisht po mundohen të gjejnë zgjidhje me futbollistët për të ndalur një pjesë të pagave të tyre, në mënyrë që të ulin sa më shumë shpenzimet.
Për t’u ardhur në ndihmë ka menduar edhe UEFA, e cila ka vendosur të shpërndajë para kohe fondin për skuadrat që kanë lejuar lojtarët e tyre t’i bashkohen ekipeve kombëtarë në ndeshjen e vlefshme për Nations League dhe kualifikueset e Euro 2020-ës, transmeton Super Sport.
Bëhet fjalë për një fond rreth 70 milionë euro që do të ndahet mes klubeve në raport me numrin e lojtarëve që kanë pasur të grumbulluar në të gjithë aktivitetet e UEFA-s, ndërsa një tjetër shifër prej 200 milionë eurosh pritet të jepet pas zhvillimit të Euro 2020-ës verën e ardhshme, për ekipet që do të dërgojnë lojtarë në këtë kompeticion.
“Klubet europiane janë pjesë integrale e suksesit të kompeticioneve tona për kombëtare, ndaj një pjesë e mirë e të ardhurave shpërndahet për të gjithë skuadrat që kanë lejuar lojtarët e tyre t’u bashkohen përfaqësueseve përkatëse. Ne kemi vendosur ta shpërndajmë menjëherë këtë fond, për të ndihmuar sadopak klubet, në këto ditë të vështira për futbollin dhe jo vetëm”, deklaroi kreu i UEFA-s, Ceferin.
Vendimi i UEFA-s u përshëndet nga presidentë të shumë klubeve, të cilët pranuan se ishte gjesti i duhur për të ndihmuar klubet të përballojnë shpenzimet dhe të ulin sadopak humbjet ekonomike.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.