×
  • Sport
  • Sport

    UEFA: Rashica dhe Kosova, kombinim i zjarrtë

    Reporteri
    12 Qershor 2019 | 9:37

    Paraqitja e Milot Rashicës në ndeshjen kundër Bullgarisë nuk i la vetëm kosovarët të mahnitur me yllin e Werder Bremenit, por edhe UEFA-n që e lavdëroi futbollistin përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Twitter.


    Skuadra e Bernard Challandes triumfoi me rezultat 3:2 në ndeshjen e së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.

    Në këtë ndeshje, për “Dardanët” më së shumti shkëlqeu Milot Rashica, i cili nga SofaScore u vlerësua me notën 8.0. Pas tij, me notën më të mirë u vlerësua Vedat Muriqi (7.4).

    Rashica e shënoi golin e parë në këtë ndeshje dhe e asistoi atë të fundit, mirëpo ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte driblimi i Rashicës që çoi deri te goli i dytë, i shënuar nga Vedat Muriqi.

    Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

    Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.

    Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!