Shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA i ka përpiluar listat e gjyqtarëve që janë avancuar për edicionin e ri.
Listat janë të ndara në kategori ndërkohë që ajo që bie në sy është fakti se gjyqtarët e futbollit kosovar me stemë të FIFA-s, Genc Nuza, Besfort Kosumi dhe Visar Kastrati nuk janë avancuar.
Ata vazhdojnë të jenë në kategorinë e tretë të gjyqtarëve.
Kujtojmë se Nuza për gjashtë vite më radhë është shpallur gjyqtari më i mirë në Kosovë nga Federata e Futbollit e Kosovës derisa tash e katër vite referon edhe ndeshje ndërkombëtare.
Nuza deri më tash ka lënë përshtypje të mira në arenën ndërkombëtare me nota të larta sikurse edhe Kosumi, i cili e ka nisur karrierën ndërkombëtare më vonë, kurse Kastratit i është shtyrë debutimi për shkak të pandemisë.
Për ta marrë një përgjigje se pse nuk janë avancuar këta gjyqtarë në kategorinë e dytë, Zeri.info. ka biseduar edhe me kryetarin e komisionit të gjyqtarëve, Përparim Hasani.
“Nuk është në dorën tonë dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim pasi që vlerësimet i bëjnë kontrollorët e UEFA-s”, tha Hasani.
Në kampanjën e muajit gusht për ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, nuk është deleguar asnjë gjyqtarë nga Kosova.
Shkak mbetet pandemia dhe vizat.
Ndërkohë, për dallim nga futbolli, UEFA i ka avancuar dy gjyqtarë të futsallit, Besar Beqirin dhe Besart Ismajlin.
Ata kanë kaluar nga kategoria e tretë në të dytën.