×
  • Sport
  • Sport

    Ujkani: Kosova ka të ardhme, synojmë të shkojmë sa më lartë

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 13:01

    Portieri kosovar ka folur për objektivat e ekipit kombëtar të Kosovës para ndeshjes me Spanjën. Vushtrriasi thotë se “Dardanët” janë duke u rritur hap pas hapi dhe beson se Verdhekaltrit kanë të ardhme të ndritshme.


    Samir Ujkani beson fuqishëm në potencialin e ekipit kombëtar të Kosovës.

    Portieri kosovar, në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca” ka folur për objektivat e “Dardanëve” në kualifikimet e Botërorit 2022.

    Verdhekaltrit do të përballen nesër mbrëma me Spanjën, ndërsa vushtrriasi, krahas kësaj loje, ka folur edhe për synimet që i ka ai me shokë në Grupin B.

    Veterani i portës thekson se Kosova e ka për qëllim të shkojë sa më lartë të jetë e mundshme, ndërsa e gëzon fakti se përfaqësuesit e saj po rriten dita-ditës duke luajtur në ekipe më të forta.

    “Objektiv yni është që të shkojmë sa më lartë që të jetë e mundshme. Ky është mentaliteti ynë. Ne jemi ekip që është lindur, me pak eksperiencë, por hap pas hapi lojtarët janë duke u angazhuar në ekipe më të mira dhe në liga më të forta. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, por jo edhe me Spanjën. Sidoqoftë, çdo lojë është botë në vete. Ne duam të argëtohemi dhe të shohim se çka do të ndodhë”, deklaroi 32 vjeçari.

    Sa i përket ballafaqimit me spanjollët, portieri i Torinos shprehet se Kosova ka nevojë ta bëjë një mrekulli pasi “Stuhinë e Kuqe” e konsideron si favorit absolut në këtë ndeshje.

    Në mungesë të portierit Aro Muriç, Ujkani ishte titullar në humbjen e Kosovës nga Suedia, 0:3, në hapje të kampanjës kualifikuese të Botërorit të Katarit.

    Ujkani pritet ta nisë lojën nga fillimi edhe ndaj Spanjës në Sevilla të mërkurën mbrëma.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!