×
  • Sport
  • Sport

    Veton Berishës i mbeti merak që nuk arriti të luante me vëllaun e tij te Kombëtarja e Kosovës

    Reporteri
    27 Shtator 2020 | 16:46

    Veton Berisha nuk e kthen kokën prapa kur e ka topin në zonën e 16-të metërshit të kundërshtarit. Shikon vetëm portën për të shënuar gol, rol që e ka në fushë.


    Të njëjtën gjë thotë se e bën edhe kur merr vendime jashtë fushës. Por, pranon se i mbetet merak që nuk e provoi paraqitjen me Kosovën.

    “Jam një person që kur merr një vendim e që nuk ndryshohet, nuk e kthej kokën dhe të mendoj për atë vendim. Por, në këtë rast, është normale që më mbetet merak se si do të ishte të luaja për Kosovën dhe me vëllanë tim Valonin”, thotë sulmuesi i skuadrës norvegjeze, Viking.

    Vetoni dhe Valoni katër vjet më parë i ndanë rrugët. Vëllai i madh, Valoni, zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën, kurse Vetoni vendosi për Norvegjinë. Atëbotë, në paraqitjet për media vetëm Valoni pati folur për ndarjen. Pati thënë se kishe domethënie të madhe që ai vetë zgjodhi Kosovën e vëllai i tij i vogël Norvegjinë.

    “Ka qenë një periudhë e vështirë. Ka qenë 100 për qind vendimi më i vështirë që e kam marrë në karrierë dhe nuk besoj se do të ketë vendim tjetër si ai”, ka thënë ai.

    Por edhe kur pyetet nëse do ta merrte të njëjtin vendim, pra të zgjedhë Kosovën para Norvegjisë, Berisha nuk ka koment.

    “Respekt për të dyja përfaqësueset”, thotë Berisha. “Norvegjia na ka dhënë shumë neve si familje. Ne jemi rritur këtu në rrethana të mira dhe të sigurta. E kemi nisur edhe rrugëtimin në futboll këtu në Norvegji”.

    Vetoni më nuk ftohet të luajë për Norvegjinë, derisa Valoni është lojtar me rol të madh në mesfushën e Kosovës. Paraqitjen e fundit për Norvegjinë e ka në shtator të vitit 2016, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2018”. Në stol qëndroi edhe në ndeshjen e marsit kundër Irlandës së Veriut. Futbollisti nga Podujeva insiston se nuk ka lënë ndeshje të Kosovës pa e parë. Madje, ka besim se Kosova mund ta arrijë kualifikimin në “Euro 2020”, që është shtyrë për vitin tjetër shkaku i pandemisë së koronavirusit. Kosova është vetëm dy ndeshje larg evropianit. Në gjysmëfinalen e plejofit, që siguron biletën për evropian, Kosova luan ndaj Maqedonisë së Veriut më 8 tetor. Gjysmëfinalja tjetër luhet në mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

    “Nuk do të më gëzonte asgjë më shumë sesa që ta shoh Kosovën bashkë me Valonin në Evropian. Do të shkoja pa menduar direkt për të bërë tifo”, ka thënë Berisha, që për ekipin “A” të Norvegjisë ka shënuar një gol në katër ndeshje. “E kam përcjellë çdo ndeshje të Kosovës dhe Valonin, me shumë kënaqësi. Mendoj që kanë gjasa shumë të mira që ta sigurojnë Evropianin. Kosova ka lojtarë të mirë, vetëm të shpresojmë që të luajnë mirë dhe të tregojnë formë maksimale për të arritur në Evropian me mbështetje të shqiptarëve”.

    Mst: Berisha s’beson se do të ftohet më nga Norvegjia

    Vetoni thotë se nuk beson më se do të ftohet na Norvegjia, ndonëse forma e tij me Vikingun këtë edicion është goxha e lartë.

    “Nuk ma merr mendja, sepse trajneri i Norvegjisë nuk i ndryshon shumë 23 lojtarët e ekipit përfaqësues. Sulmuesit që janë pjesë e Norvegjisë po kalojnë formë shumë të mirë në liga më të forta”, ka pranuar Berisha.

    Megjithatë, ai thotë se është i hapur të luajë për Norvegjinë, dhe nëse përzgjedhësi vendos ta ftojë, atëherë do t’i përgjigjet ftesës pa hezituar.

    “Unë nuk i kam humbur shpresat. E rëndësishme është që të jap më të mirën te Vikingu dhe ta vazhdoj formën aktuale, pastaj i mbetet trajnerit të vendosë. Unë nuk mund ta ndryshoj situatën. Por e rëndësishme për mua është që të ruaj formën e mirë dhe ta ndihmoj Vikingun”, tha futbollisti që ka lindur në Egersund të Norvegjisë.

    Berisha këtë edicion në 18 paraqitje në elitën e futbollit norvegjez ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar shtatë herë. Në dy ndeshje të kualifikimeve të Ligës së Evropës ka shënuar një gol dhe ka arritur të kontribuojë me një asistim.

    “Jam shumë i kënaqur me golat dhe formën që po e kaloj këtë edicion, sidomos në javët e fundit. Treguesi më i mirë janë golat dhe asistimet”, ka deklaruar ai.

    Sulmuesi 26-vjeçar thotë se fillimi i këtij edicioni ka qenë i vështirë për të dhe ekipin në përgjithësi. Por ai thekson se tash gjërat janë në nivelin maksimal.

    “Kam pritur, por edhe jo një shpërthim të tillë. Por, sigurisht se kam hyrë me vetëbesim të madh, por në fillim ka qenë vështirë të shënoja shumë gola dhe asistime, sepse si ekip nuk kemi luajtur shumë mirë. E tash me formën time dhe lojtarëve të tjerë të ekipit është shumë më e lehtë të shënoj dhe të asistoj për Vikingun”, thotë Berisha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!